Botë

Trump sulmon NBC News për mbulimin e ndërhyrjes së Rusisë në zgjedhjet e nëntorit

Presidenti Donald Trump e nxiti edhe më shumë debatin lidhur me ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet presidenciale të nëntorit, me sulme ndaj televizionit NBC News dhe drejtorit të saj për politikën, Chuck Todd.

Në dy postime në Twitter, të shtunën Trump u tall me pamjen e Toddit, kritikoi rrjetin televiziv se nuk ka mbuluar sa ç’duhet pohimet e pavërtetuara se ish-presidenti Barack Obama kishte urdhëruar përgjimin e fushatës së tij dhe i bëri thirrje NBC-së të ndërpriste pasqyrimin e ndërhyrjes ruse në zgjedhje, raporton VOA.

Ndërkohë Shtëpia e Bardhë dërgoi mesazhe të përziera të premten lidhur me ofertën e ish-këshilltarit të sigurisë kombëtare Michael Flynn për të bashkëpunuar me hetimet e kongresit që po shqyrtojnë kontaktet mes këshilltarëve të fushatës së Trumpit dhe Rusisë, në këmbim të imunitetit nga ndjekja penale.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Sean Spicer, u tha gazetarëve në konferencën e përditshme për shtyp se “nuk do t’i jepte këshillë ligjore as Mike Flynnit dhe askujt tjetër” lidhur me pyetjen nëse duhet të dëshmojë para komisioneve të Kongresit.

Komenti i Spicerit binte ndesh me një postim në Twitter po të premten nga Presidenti Trump që binte dakord se Flynn duhej të kërkonte imunitet për të dëshmuar në ato që ai i quajti fushata ngacmimesh të motivuara politikisht.

I pyetur nëse Shtëpia e Bardhë është e shqetësuar se Flynn ka informacion që mund të dëmtojë administratën e zotit Trump, zëdhënësi Spicer u përgjigj prerë: “Jo”.

Të enjten pati njoftime se Flynn ishte në bisedime me komisionet e Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit për Zbulimin, në përpjekje për të siguruar një premtim se do të kishte imunitet, por se askush nuk kishte rënë dakord me kushtet e tij.