Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Antalia gati të presë 3,5 milionë turistë rusë e 1,5 milionë turistë ukrainas

Antalia, zemra e turizmit veror të Turqisë, do të presë këtë vit 3,5 milionë turistë rusë dhe 1,5 milionë turistë ukrainas, raportojnë mediat turke.

Presidenti i Shoqatës turke të Menaxherëve Profesionistë të Hoteleve (PYOD), Hakan Duran, deklaroi të enjten se në Antalia ka filluar një lëvizje serioze e turistëve rusë dhe në 2 muajt e parë të 2017-s është regjistruar një rritje me gati 3.500 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Duke sqaruar se në tregun rus janë barazuar shifrat e vitit 2015, madje dhe po vërehet një tendencë për të arritur të dhënat rekord të 2014-s, Hakan Duran shprehu bindjen se Antalia do të presë këtë vit të paktën 3,5 milionë turistë rusë.

Ai vuri në pah se një rritje e konsiderueshme është regjistruar gjithashtu në numrin e turistëve nga Kazakistani, Turkmenia dhe Azerbajxhani.

Pasi tërhoqi vëmendjen mbi rëndësinë e udhëtimit me kartë identiteti ndërmjet Ukrainës dhe Turqisë, presidenti i Shoqatës së Menaxherëve Profesionistë të Hoteleve nënvizoi se numri i turistëve ukrainas në Antalia për këtë vit pritet të jetë mbi 1,5 milionë, ndërkohë që në 2016-n u regjistruan pak më shumë se 1 milion vizitorë nga Ukraina.

Hakan Duran potencoi se rezervimet e hershme, përveçse garantojnë një avantazh shumë të madh dhe rrisin ndjeshëm dinamikën e turizmit të brendshëm, ofrojnë gjithashtu mundësinë për të bërë pushime deri në 50 për qind më të lira.

“Një tjetër avantazh i rëndësishëm është pagesa me këste përmes kartës së kreditit. Vitin e kaluar, në Antalia pushuan rreth 7 milionë persona vetëm nga turizmi i brendshëm. Këtë vitit pritet një rritje me të paktën 15 për qind dhe kjo nënkupton se shifra e përgjithshme do të jetë mbi 8 milionë turistë vendorë”, përfundoi ai.