Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Senatorët amerikanë sponsorizojnë një projektligj që forcon sanksionet ndaj Iranit

Senatorët amerikanë nga dy partitë më të mëdha politike kanë prezantuar një legjislacion për të forcuar sanksionet ndaj Iranit për lansimin e raketave balistike dhe aktiviteteve të tjera jobërthamore ushtarake.

Autorët e këtij ligji janë udhëheqësit e Komitetit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë dhe ai po ashtu është i bashkë-sponsorizuar nga shtatë senatorë republikanë dhe demokratë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Projektligji parasheh qëndrimin e ashpër të presidentit Donald Trump ndaj Teheranit dhe pritet që të kalojë në Senat.

“Bashkëpunimi i dy partive politike është i rëndësishëm për këtë projektligj sepse nënvizon besimin tonë të fortë, se Shtetet e Bashkuara duhet të jenë të zëshëm në çështjen e mbajtjes përgjegjës Iranin për veprimet e vazhdueshme në gjithë botën si shteti kryesor që sponsorizon terrorizmin”, ka thënë senatori demokrat, Robert Menendez.

Kryetari i komitetit, Bob Corker ka thënë se projektligji ka për synim “veprimet destabilizuese” të Iranit, që kërcënojnë aleatët e SHBA-së në Lindjen e Mesme.

Ky legjislacion u prezantua në prag të një konference vjetore në Uashington mbi ndikimin e grupit lobues pro-izraelit AIPAC.

Projektligji parasheh që sanksionet të jenë të detyrueshme për të gjithë të përfshirët në programin e raketave balisitike të Iranit.

Aty do të vendosen edhe sanksisione ndaj Gardës Revolucionare Islamike, ndërsa sanksionet tashmë të vendosura, do të futen në ligj nga dega e ekzekutivit mbi individët që lidhen me mbështetjen e pretenduar të Iranit për terrorizmin.

Garda Revolucionare Islamike, një trup elite ushtarake, është një forcë e fuqishme politike në Iran dhe ka një prani të gjerë në gjithë ekonominë e Iranit.

Projektligji gjithashtu do të kërkojë që presidenti i SHBA-së të ngrijë asetet e çdo personi ose subjekti të përfshirë në aktivitete specifike që shkelin embargon e armëve të vendosur nga OKB-ja ndaj Iranit.

Irani ka thënë se projektligji për sanksione për aktivitete jobërthamore shkelë marrëveshjen bërthamore të vitit 2015, të arritur me fuqitë botërore.

Por, autorët e këtij projektligji insistojnë se ai është hartuar me kujdes, me qëllim që të shmangë ndërhyrjen në marrëveshjen për programin bërthamor të Teheranit.

Presidenti Trump e ka bërë të qartë se ai dëshiron të forcojë qëndrimin e tij ndaj Iranit dhe senatori Corker tha se ai është konsultuar me Shtëpinë e Bardhë për hartimin e këtij projektligji.

Në shkurt, administrata Trump vendosi sanksione ndaj 25 individëve dhe subjekteve në Iran, duke thënë se ky ishte “hapi i parë” në përgjigjen ndaj testimeve të vazhdueshme të Iranit të raketave balistike, për të cilat SHBA thotë se janë në kundërshtim me rezolutat e OKB-së.

Teherani gjithashtu ka zemëruar Uashingtonin, pasi po mbështetë lëvizjen e rebelëve Huthi në Jemen si dhe mbështetë presidentin sirian Bashar al-Assad në luftën civile në Siri.

Senatori Menendez i tha agjencisë Reuters se projektligji ka për qëllim që të bëjë një strategji “rajonale”, për shkak të gjerësisë së aktiviteteve të Iranit në Lindjen e Mesme.

“Projektligji bën thirrje për një strategji rajonale për shkak se Irani, pa dyshim është i përfshirë në mënyra të ndryshime në rajon, qoftë në Jemen, Siri ose dhe më gjerë”, ka thënë ai./REL