Kryetari i Partisë Demokrate të Socialistëve të Malit të Zi (DPS), Millo Gjukanoviq, në një intervistë për “Pobjeda” të Podgoricës tha se Mali i Zi me asnjë veprim nuk e ka cenuar miqësinë shumëshekullore me Rusinë.
Për synimin e përtëritjes së shtetësisë së Malit të Zi shumë herë kam biseduar me presidentin rus, Vlladimir Putin, ndërsa Rusia është ndër vendet e para që ka njohur pavarësinë e shtetit tonë, tha Gjukanoviq, duke shtuar se “për këtë populli i Malit të Zi është mirënjohës”, transmeton Koha.net.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoAi ka rikujtuar se kur i ka thënë presidentit rus se Mali i Zi synon pavarësinë, Putin me mirësjellje vetëm ka pyetur: “A është vërtetë kjo e domosdoshme për Malin e Zi?”. Ndërsa lideri malazias i është përgjigjur se “jo vetëm Malit të Zi, por edhe Ballkanit të privuar nga mekanizmat vetërregullues të pushtetit për stabilitet të brendshëm i duhet integrimi Veriatlantik për avancimin e sigurisë së tij”.
Siç është shprehur Gjukanoviq, Moska zyrtare “qartas ka lëshuar rastin të vërë re se ky nuk është më Mali i Zi i cili në vend të interesave të veta do të shkojë pas atyre të Serbisë e të Rusisë”.
“Ky është Mali i Zi i ri dhe më i përgjegjshëm, i cili më 1999, gjatë ndërhyrjes së NATO-s në Jugosllavinë (e atëhershme) i tha Sllobodan Millosheviqit – Jo, kjo nuk është lufta jonë; interesi ynë është të jetojmë në paqe. Dhe në fund, ky është Mali i Zi i cili më 2016 i tha qartë Rusisë se respekton miqësinë malaziaso-ruse, lidhjet tona historike, porse anëtarësimi në NATO dhe në BE është zgjedhje jonë e lirë dhe se presim, veçmas nga miqtë që këtë ta mbështesin”, është shprehur Gjukanoviq, transmeton Koha.net.
“Nuk i kemi kurrfarë borxhi Rusisë. Këtë e dinë të gjithë në Moskë që duhet t’i njohin marrëdhëniet malaziaso-ruse...” iu ka përgjigjur Gjukanoviq pohimeve të ministrit rus të Mbrojtjes dhe atij të Jashtëm Sergej Shojgus dhe Sergej Llavrovit, sipas të cilëve Mali i Zi i ka diçka borxh Rusisë.
“Moska ndoshta ka pritur që Mali i Zi të heqë dorë nga vetja për interesa të Rusisë”.
“Borxhi im ndaj Rusisë është se nuk e kam tradhtuar Malin e Zi!...” ka thënë Gjukanoviq.
“Përsëris, nuk i kam borxh as Perëndimit, as Lindjes! Këtë e dinë mirë edhe Rusia, edhe Brukseli, edhe Uashingtoni”, është shprehur ai.