Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

ODIHR: Zgjedhjet në Maqedoni i kontribuuan përforcimit të procesit demokratik

Misioni i vëzhguesve të ODIHR-it pranë OSBE-së i bëri të hënën vlerësimet e para për zgjedhjet e së dielës, duke i cilësuar ato përgjithësisht si të qeta që i kontribuuan përforcimit të procesit demokratik. Liritë themelore në fushatë në përgjithësi u respektuan, nënvizon ODIHR.

Megjithatë, Ambasadorja Audry Glover, shefe e misionit të IDIHR-it tha në një konferencë për mjetet e informimit se “mungoi transparenca në veprimet e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve që mori një sërë vendimesh prapa dyerve të mbyllura dhe nuk i bëri publike ato në web faqen e saj, ashtu siç do të duhej”. Zonja Glover theksoi ndasitë politike në radhët e anëtarëve të këtij komisioni, ndërsa foli edhe për pretendimet e besueshme për blerje votash, për trysni dhe dhunë fizike në raste të izoluara, raporton VOA.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

ODIHR dhe vëzhguesit e Kongresit të Këshillit të Evropës theksojnë më tej se zgjedhjet u zhvilluan në një ambient konkurrues ku kandidatët kishin mundësi të zhvillojnë fushatë pa kufizime dhe ku përgjithësisht u respektuan liritë themelore të shprehjes.

Ndërkaq, vëzhguesit lanë të kuptohej se procesi u zhvillua në kuadër të standardeve ndërkombëtare dhe se u vërejt besimi i shtuar i votuesve në zgjedhje.

Zgjedhjet i vëzhguan edhe mbi pesë mijë përfaqësues të shoqërisë civile në Maqedoni, ndërsa vërejtjet e tyre për parregullsi nuk duket që ndikojnë në rezultatin e përgjithshëm.

Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë ka dalë fituese e zgjedhjeve vendore me 37 kryetarë të rinj komunash dhe mbi 415 mijë vota në shkallë vendi, ndërsa VMRO-DPMNE ka arritur të sigurojë fitoren vetëm në tre komuna në raundin e parë dhe gjithsej 350 mijë vota.

Prej partive shqiptare, Bashkimi Demokratik për Integrim ka fituar Kërçovën, ku Fatmir Dehari ishte kandidat i vetëm shqiptar dhe komunën rurale të Pllasnicës afër Kërçovës. Garuesit e BDI-së për kryetarë komunash do të shkojnë në balotazh në 13 komuna, Lëvizja Besa në tetë komuna, Aleanca për Shqiptarët në 5 komuna.

Lidhja Social Demokrate në këto zgjedhje ka arritur të sigurojë edhe shumicën në më shumë këshilla komunalë. Drejtuesi i saj thonë se fitorja është rezultat i reformave të pushtetit qendror brenda këtyre katër muajve.

Në Tetovë më 29 tetor do të rigarojnë Teuta Arifi e BDI-së dhe Bilall Kasami i lëvizjes Besa. Në Gostivar Arben Taravari i Aleancës për Shqiptarët me Nevzat Bejtën e BDI-së. Në Strugë Ziadin Sela i Aleancës për Shqiptarët përballet me Ramiz Merko i BDI-së, në Çair të Shkupit Visar Ganiu i BDI-së dhe Zeqirja Ibrahimi i Lëvizjes Besa. Në balotazh e fiton garën kandidati që mund të ketë vetëm një votë më shumë se tjetri.

Lidhja Social Demokrate, ndërkohë, ka fituar garën në komunën e Haraçinës pranë Shkupit, një vendbanim i banuar pothuaj tërësisht me shqiptarë, ku Milikije Halimi do të jetë në krye të pushtetit vendor për katër vitet e ardhshme.

Zoran Zaev, kryeministër dhe kryetar i LSDM-së gjatë festimit të mbrëmshëm në Shkup tha se komunat nuk do të drejtohen më nga “sherifë lokalë”, siç u shpreh ai, ndërsa premtoi angazhime dhe punë në vetëqeverisjen vendore për të gjithë qytetarët, pa marrë parasysh se për kë kanë dhënë votën.

Drejtuesi opozitar Nikolla Gruevski u ankua për parregullsi të shumta, incidente, trysni e shnantazhe ndaj kandidatëve dhe votuesve, ndërkohë që paralajmëroi ankimime para organeve përkatëse.

Edhe Lëvizja “Besa” e ka cilësuar ditën e votimit si një proces të përshkuar me parregullsi dhe incidente, ndërkohë që të gjitha partitë shqiptare e konsiderojnë veten si fituese të zgjedhjeve të së dielës.