Uragani Nate, jepet alarmi në jug të SHBA Foto: Reuters

Uragani Nate, jepet alarmi në jug të SHBA

07 tetor 2017 22:43

Gjendja e emergjencës u shpall në katër shtete jugore amerikane, ndërsa uragani Nate po merr fuqi në rrugën e tij drejt bregut të Gjirit të Meksikës.

Louisiana, Mississippi, Alabama dhe disa zona në Florida dhanë alarmin për uraganin dhe gjithashtu urdhëruan mjaft evakuime. Masat prekin edhe disa pjesë të qytetit të Nju Orleans, i cili u shkatërruar 12 vjet më parë nga uragani Katrina, shkruan Tch.

Autoritetet amerikane thanë se po merren të gjitha masat për të përballur stuhinë dhe përvoja e shkuar me këto fenomene natyrore bën që të mos ketë vend për panik.

Nate filloi si stuhi tropikale, aktualisht është uragan i kategorisë së parë dhe pritet të godasë bregdetin amerikan si stuhi e kategorisë së dytë. Nate nuk është aq i fortë sa paraardhëset e tij Irma dhe Maria, por sidoqoftë do të sjellë erëra të fuqishme, reshje të dendura dhe batica të forta.

Veç masave në tokë, masa po merren edhe në det, ku kompanitë e naftës po evakuojnë punonjësit e tyre nga platformat naftënxjerrëse në Gjirin e Meksikës. Para se t’i drejtohej SHBA, uragani Nate vrau 25 persona në Nikaragua, Kosta Rika dhe Honduras, vende që i goditi në formën e një stuhie tropikale.

Në Amerikën Qendrore, Nate solli reshje të dendura, rrëshqitje të dheut dhe përmbytje që bllokuan rrugët, shkatërruan ura e shtëpi, duke lënë me mijëra persona pa energji elektrike, ujë të pijshëm dhe strehë.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme