Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Rreth 800 mijë fëmijë kërkuan azil në Evropë në dy vitet e fundit

Numri i fëmijëve emigrantë dhe refugjatë që janë larguar nga vendet e tyre në kërkim të azilit është rritur ndjeshëm gjatë dy viteve të fundit. ChildPact bashkë me koalicionet nacionale ka filluar një fushatë për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve refugjatë dhe fëmijëve të pashoqëruar. ChildPact (Koalicioni Rajonal për Mbrojtjen e Fëmijëve) dhe koalicionet nacionale, përfshirë Koalicionin e OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF në Kosovë përmes një deklarate kanë shprehur shqetësimin e tyre lidhur me numrin e madh të fëmijëve që kanë kërkuar azil si pasojë e luftës dhe konflikteve në vendet e tyre.

Nga rreth 800 mijë fëmijë që kanë kërkuar azil në Evropë në dy vitet e fundit, 170 mijë ishin të pashoqëruar dhe të ndarë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Kjo është deklarata e plotë e ChildPact (Koalicioni Rajonal për Mbrojtjen e Fëmijëve) dhe koalicioneve nacionale, përfshirë Koalicionin e OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF.

Deklarata për Fëmijët Refugjatë dhe Fëmijët e Pashoqëruar

Në vitet e fundit, shtetet evropiane kanë qenë një nga destinacionet kryesore për qindra mijëra njerëz që përballen me kushtet e përkeqësuara të jetës në vendet e tyre, për shkak të luftës dhe konflikteve që krijojnë një gjendje të përhershme të pasigurisë dhe privimit ekonomik. Fëmijët janë më së shumti të prekur nga kjo krizë e refugjatëve.

Ne, ChildPact, së bashku me anëtarët tanë - koalicionet nacionale për mbrojtjen e fëmijëve - u bëjmë thirrje të gjitha palëve të interesuara që të rrisin përpjekjet e tyre për të trajtuar siç duhet nevojat e të gjithë fëmijëve refugjatë, duke përfshirë të miturit e pashoqëruar, të cilët e gjejnë veten në një situatë jashtëzakonisht të cenueshme.

Statistikat alarmante

Numri i fëmijëve emigrantë dhe refugjatë që largohen nga vendet e tyre në kërkim të azilit është rritur ndjeshëm gjatë dy viteve të fundit. Shumë prej tyre janë të pashoqëruar - duke lëvizur vetëm pa anëtarët e familjes. Sipas Komisionit Evropian, rreth 800,000 fëmijë kërkuan azil në Evropë në vitin 2015 dhe 2016, nga të cilët 170,000 ishin fëmijë të pashoqëruar dhe të ndarë.

Rreziqet e larta

Fëmijët e pashoqëruar janë veçanërisht të cenueshëm, përballen me rreziqe të rënda përgjatë rrugëve të migrimit - ata janë të ekspozuar ndaj rrezikut të lartë të dhunës, shfrytëzimit, kontrabandës dhe trafikimit. Rreziku nuk përfundon sapo të mbërrijnë në destinacionin e tyre pasi që këta fëmijë mund të kalojnë vite në kampet e refugjatëve, që nuk kanë qasje në kujdes shëndetësor, arsim dhe shërbime të tjera thelbësore dhe që pësojnë me pasoja psikologjike që do të ndikojnë gjithë jetën e tyre. Të miturit e pashoqëruar janë veçanërisht në rrezik të neglizhimit.

Përgjigja e kërkuar

Duke pasur parasysh rritjen e numrit të fëmijëve migrantë që kërkojnë azil në rajon, përgjigja ndaj nevojave humanitare të menjëhershme është bërë prioritet kyç për të gjithë aktorët e përfshirë, të cilët duhet të punojnë me këmbëngulje dhe në kushte emergjente për të mbështetur më të cenueshmit. Megjithatë, të gjitha palët e interesuara duhet të mendojnë për zgjidhje afatgjata si për fëmijët refugjatë që kanë arritur tashmë në Evropë, ashtu edhe ata që janë ende në rrugë ose që pritet të arrijnë në të ardhmen.

Shteteve duhet t’u kujtojmë përgjegjësinë e tyre për të mbrojtur të gjithë fëmijët brenda kufijve të tyre pa përjashtim, duke marrë parasysh që fëmijët që migrojnë dhe ata refugjatë kërkojnë vëmendje të veçantë.

Në veçanti, ChildPact kërkon nga shtetet:

Të dëshmojnë më shumë përkushtim për të siguruar mbrojtjen e fëmijëve që migrojnë dhe atyre refugjatë nga dhuna, abuzimi dhe trafikimi;

Të krijojnë qasje të menjëhershme në procedurën e azilit, duke i dhënë përparësi fëmijëve;

Të rrisin përpjekjet për të lehtësuar bashkimet familjare;

Të sigurojnë ushqim, akomodim, kujdes shëndetësor, mbështetje psikosociale dhe arsim adekuat për të gjithë fëmijët;

Të prioritizohet qasja në arsim, në veçanti për ata fëmijë që kanë mbetur jashtë shkollës për një kohë të gjatë;

Të bëjnë të gjitha përpjekjet për të emëruar në kohë kujdestarët dhe/ose përfaqësuesit ligjorë të të miturve të pashoqëruar në të gjitha vendet e rajonit;

Të përmbahen nga praktika e institucionalizimit ose e ndalimit të të miturve të pashoqëruar dhe të krijojnë një sistem të qendrave të tipit familjar;

Të nisin fushata që synojnë të kundërtën e diskriminimit dhe ksenofobisë, si dhe të rrisin ndërgjegjësimin dhe ta bëjnë publikun më të ndjeshëm ndaj gjendjes së cenueshme të fëmijëve që migrojnë dhe të miturve të pashoqëruar në veçanti;

Të zhvillojnë mekanizma të posaçëm për të parandaluar zhdukjen e të miturve të pashoqëruar nga qendrat rezidenciale strehuese.

Ne besojmë fuqishëm, se vetëm duke punuar së bashku mund të arrijmë progres në të vepruarit në interesin më të mirë të fëmijëve!