Botë

Meshkujt paguhen më shumë se femrat në BBC

Televizioni i famshëm britanik, BBC, e ka zbuluar më në fund listën e personave më të paguar në këtë institucion, dhe publiku menjëherë ka reaguar ndaj padrejtësisë gjatë pagesës së femrave kundrejt meshkujve.

Korporata 95-vjeçare ka bërë të ditur se Chris Evans, prezantuesi i famshëm i radios dhe televizionit, i cili po ashtu e ka drejtuar emisionin “Top Gear”, për një sezon, është punëtori më i paguar në BBC, me 2.25 milionë funte brenda një viti.

Ndërkaq, femra më e paguar në këtë televizion është prezantuesja, Claudia Winkleman, e cila i ka fituar më pak se gjysmë milion funte për punën e saj si prezantuese e shout “Strictly Come Dancing” dhe disa emisioneve tjera.

BBC-ja ka qenë nën presion për vite të tëra që ta zbulojë pagën e saktë të punëtorëve të tyre, dhe obligimi i tyre për t’i treguar punëtorët më të paguar ishte pjesë e marrëveshjes 10-vjeçare me qeverinë e shtetit.