Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Arabia Saudite, e para për promovim të ekstremizmit islamik në Britani

Arabia Saudite po provon në kurriz çdo të thotë të ngresh gishtin e akuzës ndaj dikujt tjetër. Ajo ishte flamurtarja e përpjekjeve për diskreditimin e Katarit, si vend që mbështet terrorizmin, por një raport i “Henry Jackson Society” e akuzon vet mbretërinë e Gjirit si promovuesen kryesore të huaj të ekstremizmit islamik në Britaninë e Madhe.

“Think tank”-u i specializuar në çështjet e jashtme flet për një lidhje “të pastër e në rritje” mes organizatave islamike të financuara nga përtej detit, predikuesve të urrejtjes dhe grupeve xhihadiste nxitëse të dhunës, transmeton Tch.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Ministrat e qeverisë britanike janë nën presionin të publikojnë gjithashtu raportin e tyre mbi grupet islamike me bazë në Mbretërinë e Bashkuar. Ambasada saudite reagoi menjëherë, duke i cilësuar si kategorikisht të rreme pretendimet e “think tank”-ut, në listën e të cilit renditet si vend i Gjirit edhe Irani, si garantues i mbështetjes financiare për xhamitë dhe institucionet e edukimit islamik, që janë lidhur me shpërndarjen e materialeve ekstremiste.

Por në krye të saj, “Henry Jackson Society” vendos Arabinë Saudite, aleaten më të ngushtë të Britanisë në Lindjen e Mesme, e njëkohësisht partneren e saj më të madhe tregtare. Në dokument nënvizohet se, individë dhe fondacione janë përfshirë në eksportimin e asaj që e quan “ideologji paragjykuese dhe fanatike Wahhabi (vehabiste)”, ndërsa rreshtohen për ilustrim edhe një sërë rastesh konkrete.

Më herët, Gjermania e pranoi se numri i militantëve potencialë islamikë është rritur dhe se vendi duhet të përgatitet për mundësinë e sulmeve të ardhshme terroriste. Raporti i Agjencisë gjermane të Inteligjencës për vitin e kaluar tregon se, në Gjermani ndodhen rreth 24.400 islamikë, 9.700 prej të cilëve janë salafistë.

Pesë sulme të tilla u regjistruan në vitin 2016, përfshirë atë të natës së Krishtlindjes në Berlin, ku u vranë 12 vetë, e nga sa kujton presidenti i kësaj agjencie janë edhe 7 sulme që u arrit të shmangeshin në kohë.

Dokumenti tregon se, qindra “xhihadistë” kanë hyrë në këtë vend, në mesin e rreth një milion emigrantëve që vërshuan në Gjermani gjatë dy viteve të fundit. Zyrtarët e sigurisë janë të vëmendshëm sidomos kundrejt 680 personave që përbëjnë potencial për kërcënime islamike.

Pjesa dërrmuese e tyre janë nën ndikimin e ideologjisë salafiste. Berlini i ka shtuar ndjeshëm përpjekjet për të luftuar militantët islamikë, me një numër rekord arrestimesh, ndjekjesh penale dhe dëbimesh.