Botë

SHBA rrëzojnë dronin iranian mbi Siri. Konflikti, në fazë të rrezikshme

Konfikti sirian ka hyrë në një fazë të re e të rrezikshme, në të cilën fuqitë e huaja po intensifikojnë përfshirjen e tyre. Dy incidente të ndodhura gjatë ditëve të fundit, rrëzimi i një bombarduesi sirian “Su-22” nga një avion amerikan dhe përdorimi i raketave balistike nga Irani kundër shënjestrave të ISIS-t, janë sinjale të një përplasjeje në lindje të Sirisë, që kishte filluar të merrte formë që në fillim të vitit.

Ishte hera e parë që Shtetet e Bashkuara rrëzuan një avion ushtarak sirian dhe e pesta herë që shënjestrojnë një avion të forcave pro regjimit, që prej ardhjes së Donald Trumpit në pushtet. Të martën, një avion amerikan rrëzoi një dron të prodhuar nga Irani, që operonte për forcat mbështetëse të regjimin sirian në jug të vendit.

Sipas zyrtarëve të Shteteve të Bashkuara, droni mendohet të ishte i armatosur dhe përbënte një kërcënim për trupat amerikane në terren. Incidenti nxori edhe një herë në pah përshkallëzimin e tensioneve në rajon, ndërsa beteja për kontrollin e Sirisë lindore bëhet gjithnjë e më e ashpër, duke treguar se në lojë është shumë më shumë sesa likuidimi i ISIS-it.

Në luftën civile të Sirisë, Shtetet e Bashkuara mbështesin disa grupe rebele që kundërshtojnë presidentin Assad, e gjithashtu edhe militantët e Shtetit Islamik. Forcat qeveritare siriane dhe milicitë proqeveritare, të mbështetura nga Rusia dhe Irani, po luftojnë si rebelët, ashtu dhe ISIS-in.

Situata është komplikuar deri në atë pikë sa, shumë ngrenë pikëpytjen se kush po lufton ISIS-in dhe kush jo. Sipas një analize të “The Indipendent”, veprimet e fundit të forcave amerikane tregojnë se Uashingtoni po angazhohet më shumë për të goditur presidentin Bashar al-Assad dhe mbështetësit e tij iranianë brenda Sirisë, sesa për të shkatërruar ISIS-in.