Kancelarja gjermane, Angela Merkel tha sot se Helmut Kohl i ka “ndryshuar jetën” me rolin që ka luajtur në bashkimin e Gjermanisë.
Ajo ka theksuar se Kohl ishte “fat për gjermanët”.
Merkel është rritur në Gjermaninë Lindore dhe karrierën politike e filloi në vitin 1990, nën udhëheqjen e Kohl.
Helmut Kohl, kancelar i Gjermanisë nga viti 1982 deri më 1998 ndërroi jetë sot në moshën 87-vjeçare.
Ndërkaq edhe Presidenti francez Emmanuel Macron sot ka nderuar ish-kancelarin e Gjermanisë Helmut Kohl, duke thënë se ai ishte evropian i madh.
Macron në rrjetin Twitter ka publikuar fotografinë e Kohl me presidentin e ndjerë francez Francois Miterrand.
“Arkitekti i bashkimit të Gjermanisë dhe miqësisë franceze-gjermane: Me Helmut Kohl kemi humbur një evropian të madh”, ka shkruar presidenti francez.