Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Koreja Veriore thotë se do të kryente sulm preventiv në rast të sulmit nga SHBA-të

Në rast të provokimeve ushtarake, politike ose ekonomike nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Koreja Veriore do të kryejë “sulm preventiv”, është porositur të premten nga shtabi i përgjithshëm i ushtrisë së këtij vendi në Pjong-jang.

Sipas mediave ruse, ushtria veri-koreane ka tërhequr vërejtjen se do të godasë bazat ushtarake e SHBA-ve në Japoni dhe Korenë Jugore, si dhe Presidencën në Seul në rast “të agresionit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Porosia e ashpër e Koresë Veriore vjen pasi që rrjeti televiziv amerikan NBC njoftoi, duke u thirrur në burime të inteligjencës, se SHBA-ja po shqyrton mundësinë e “sulmit preventiv” mbi Korenë Veriore nëse gjatë vikendit regjimi në Pjong-jang kryen prova të reja bërthamore.

Edhe pse burime të Pentagonit më vonë hodhën poshtë pohimet, gazetarët amerikanë thonë se ka informacione se një sulm i tillë po shqyrtohet, edhe pse fokusi i ushtrisë aktualisht është i vendosur në “Kinën dhe sanksionet”.

Nesër, Koreja Veriore feston 105-vjetorin e lindjes së themeluesit të saj Kim il Sung, ndërsa zyrtarët amerikanë shfaqin drojën se kjo festë nacionale e këtij vendi, e njohur si “Dita e diellit”, mund të jetë shkas për provën e gjashtë nukleare të Pjong-jangut, transmeton KosovaPress.

Nga Koreja Veriore më herët ishte thënë se “SHBA-të do të kenë luftë nëse zgjedhin ashtu”, derisa nga Pekini dhe Kremlini ishte porositur se është e domosdoshme që të ulen tensionet.

Ndryshe, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi të enjten se Pjong-jangu paraqet problem, i cili do të zgjidhet.