Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Maja Kocijançiq, në lidhje me situatën politike në Maqedoni, deklaroi se pret zgjedhjen e kryetarit të ri të Kuvendit dhe më pas formimin e një qeverie të re të reformave.
Në mesazhin e saj nga Brukseli dërguar deputetëve të Kuvendit të Maqedonisë dhe presidentit të vendit, kërkohet zgjedhja sa më e shpejtë e kryetarit të Kuvendit dhe formimi i qeverisë.
“T'i jepet fund paqartësisë aktuale dhe të formohet qeveri pa vonesë, bazuar në shumicën parlamentare që ekziston. Përfaqësuesi i Lartë dhe Komisioneri Hahn i bëri thirrje presidentit të rishikojë qëndrimin e tij. Ne tani presim që të gjithë liderët dhe institucionet politike të lejojnë vazhdimin e procesit demokratik, ndërsa me këtë nënkuptohet edhe zgjedhja e kryetarit të ri të Kuvendit”, ka thënë zëdhënësja e KE-së.
Ndryshe, në Kuvend mbahet vazhdimi i dhjetë i seancës konstituive në të cilën diskutohet për Komisionin për Zgjedhje dhe Emërime dhe për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.