Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Auto

FIA pret organizim të mirë nga FASK-u për garat në Kullë

Presidenti i FIA CEZ (FIA për Zonën e Evropës Qendrore), kroati Zrinko Gregurek është ndarë tejet i kënaqur me organizimin e bërë nga Federata e Auto Sportit e Kosovës (FASK), e cila për dy ditë me radhë ka qenë mikpritëse e përfaqësueseve të federatave përkatëse nga vendet që i takojnë FIA CEZ.

“Kam përshtypje shumë të mira nga qëndrimi ynë këtu. Urimet më të sinqerta për anëtarin më të ri të FIA-s. FASK-u që në rastin e parë u tregua si një organizatore e shkëlqyeshme”, ka thënë Gregurek pas përfundimit të mbledhjes së FIA CEZ-it, e cila për herë të parë u mbajt në Kosovë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Në vendin tonë sivjet do të mbahet po ashtu për herë të parë edhe një garë zyrtare në kalendarin e FIA CEZ-it.

“Në shtator do të mbahet gara në Kullë dhe unë sinqerisht besoj se FASK edhe në atë rast do të dëshmojë se është në gjendje të bëjë organizime të nivelit të lartë. Gjatë mbledhjes së sotme ne shprehëm gatishmërinë t'i ofrojmë çfarëdo ndihme që ka nevojë, qoftë me kuadër teknik, me gjyqtarë apo të ndonjë natyre tjetër”, ka theksuar Gregurek, duke shtuar se prej 19-21 maj në Zagreb do të mbahet seminar për gjyqtarë, ndërsa beson se edhe Kosova do t'i dërgojë tre gjyqtarët e saj më të mirë, pasi aty do të jenë përfaqësuesit e 14 vendeve anëtare të FIA CEZ-it.

I kënaqur me tërë aktivitetin e dy ditëve është shprehur edhe kryetari i FASK-ut, Ismet Rexhepi.

“Federata e Auto Sportit e Kosovës e pati rastin të përballet me një përvojë të re, të panjohur deri më tani, duke iu besuar organizimi i mbledhjes së FIA CEZ-it. Të gjitha shtetet pjesëmarrëse u njohën për së afërmi me Kosovën, me auto sportin e Kosovës, me qëllimet tona. Vlerësimi i përgjithshëm është se kemi bërë një punë të mirë, por mund të bëhet edhe më tepër. Sa i përket mbledhjes së sotme, aty u njoftuam për konfirmimin e kalendarit të garave, për plotësimin e disa komisioneve dhe për aktivitetet që e presin FIA CEZ-in. Tani na pret një aktivitet tjetër, ku më 12 e 14 maj në Prishtinë do të mbahet seminar për gjyqtarë, për të cilin do të ketë kushte ideale dhe mund të marrin pjesë të gjithë të interesuarit”, ka thënë Rexhepi.