Shërbimi Korrektues i Kosovës, përmes një komunikate për media, ka konfirmuar shkarazi vdekjen e Naser Makollit, dhe këtë e ka bërë duke mos i mohuar raportimet në media.
SHKK, në këtë njoftim ka bërë me dije se i ndjeri, Naser Makolli, ka pasur probleme shëndetësore.
Ky reagim i SHKK-së vjen pasi zyrtarë nga Lëvizja Vetëvendosje kanë thënë se, në bazë të fjalëve të familjarëve të Naser Makollit, ai ka qenë mirë më shëndet vetëm dy ditë më parë.
“Pas disa shkrimeve në portale për vdekjen e sotme të të paraburgosurit N.M., Shërbimi Korrektues i Kosovës sqaron opinionin se i ndjeri ka pasur probleme shëndetësore dhe ka qenë duke u trajtuar në QPL në Lipjan”, thotë SHKK, raporton Koha.net.
“Të ndjerit i është dhënë e gjithë ndihma mjekësore dhe trajtimi i nevojshëm paraprakisht edhe me rastin e keqësimit të gjendjes. Me rastin e vdekjes së tij, janë njoftuar autoritetet përkatëse të cilët po merren me procedurat për raste të tilla. Po ashtu, edhe SHKK dhe Ministria e Drejtësisë kanë ndërmarrë hapat e nevojshëm dhe opinioni publik do të njoftohet me kohë për të gjitha detajet e rastit”, potencon SHKK në këtë njoftim.