Arbëri

I burgosuri që vdiq sot në Lipjan ishte shoku i dhomës së Astrit Deharit

Anëtari i Vetëvendosjes, Hysen Durmishi, drejtor i Infrastrukturës në Komunën e Prishtinës, ka thënë se i burgosuri që vdiq sot në Lipjan është Naser Makolli, personi i parë që kishte hyrë në dhomën e Astrit Deharit, kur u gjet i vdekur në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.

Ka thënë se është e vështirë të mos “dyshohet në skenare të errëta të këtij pushteti kriminal”.

“I burgosuri i parë që hyri në dhomën e Astritit ditën tragjike ishte Naser Makolli. Ai sot vdiq në burgun e Lipjanit. Ende pa filluar hetimet nga një institut i pavarur ndërkombëtar i propozuar nga familja, vdiq dëshmitari kryesor. Vështirë të mos dyshosh në skenare të errëta të këtij pushteti kriminal”, ka thënë Durmishi.

Ka shkruar edhe kreu i Prishtinës, Shpend Ahmeti.

“Kur në burg humbi jetën Astrit Dehari, i pari që hyri në dhomë ka qenë i burgosuri Naser Makolli. Sot, ky dëshmitar kyç ka vdekur në burgun e Lypjanit. Ende pa u hetuar në mënyrë të pavarur...”, ka thënë ai.

Kujtojmë se Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, Dega në Prizren kishte publikuar një raport për vdekjen e Astrit Deharit, nëtë cilën ishte pasqyruar rrëfimi i shokut të dhomës së të ndjerit Naser Makolli. Ai kishte thënë se në gojën e Deharit është gjetur një shishe e plastikës. Më gjerësisht mund të lexoni këtu.

Sot, zyra për komunikim me publikun në Shërbimin Korrektues të Kosovës ka njoftuar për vdekjen e një të burgosuri në Qendrën e Paraburgimit në Lipjan. I ndjeri me inicialet N.M. ka ndërruar jetë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Lipjan, ku ishte transferuar për ndihmë mjekësore.

“Sot, më datë 3 Prill 2017, rreth orës 12:45, i paraburgosuri N.M., i akuzuar për veprën penale ‘Vrasje e rëndë në ndihmë’, pas dhënies së ndihmës së parë nga stafi mjekësor i Qendrës së Paraburgimit në Lipjan, me udhëzim të mjekut të kësaj qendre, është përcjellë për në Emergjencën e qytetit”, thuhet në njoftim.

“Nga QKMF Lipjan, kemi pranuar informatën se i paraburgosuri N.M, edhe pse është reanimuar, nuk ka mundur të mbijetojë. Rasti është duke u hetuar nga organet kompetente”, thuhet më tej aty, pa dhënë më shumë detaje.

Astrit Dehari ndërroi jetë në ditën e 5 nëntorit, në Qendrën e Paraburgimit në Prizren. Ai u gjet i vdekur në dhomën e tij, në kohën kur të burgosurit ishin në shëtitjen pasdites. Institucionet e drejtësisë në vend e kanë cilësuar si vetëvrasje vdekjen e Deharit, por nuk i kanë mbyllur hetimet ende. Familja Dehari dhe avokati i saj, Tomë Gashi, nuk pranojnë versionin e institucioneve të Kosovës dhe kanë kërkuar një hetim të pavarur ndërkombëtar.