Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Mbi 38 mijë serbë e njohin pavarësinë e Kosovës, 150 mijë ekstremisht kundër

Zgjedhjet presidenciale të Serbisë, të mbajtura më 2 prill, kanë nxjerrë fituesin e padiskutueshëm, e ai është Aleksandar Vuçiq, me rreth 55 % të 3,349,756 votuesve që morën pjesë në këto zgjedhje, e të cilat u mbajtën edhe në Kosovë në pjesët ku jeton pakica serbe.

Një kandidat i zëshëm në këtë garë presidenciale ka qenë edhe kreu i Radikalëve serbë, Vojisllav Sheshel, i cili në çdo paraqitje të tijën, temë kyçe e ka pasur Kosovën dhe “kthimin e saj nën Serbi me ndihmën ruse”.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Në një paraqitje publike, Shesheli pati thënë se nëse ai zgjidhet President, do të tentojë ta kthejë Serbinë kah integrimi me Rusinë dhe ta largojë nga Bashkimi Evropian.

“Rusia po kthehet në Ballkan, kurse BE-ja, si gjithmonë, do t’i kërkojë Serbisë njohjen e Kosovës për anëtarësim, por Serbia këtë nuk guxon asnjëherë ta bëjë”, pati thënë ai gjatë një tubimi elektoral në Beograd, raporton Koha.net.

“Nëse hyjmë në BE, kjo do të jetë pa Vojvodinën, pa Republikën Serbe dhe Rashkën (Sanxhakun), kurse nëse hyjmë në aleancë me Rusinë, atëherë një ditë mund të kthejmë ato që i kemi humbur, mbi të gjitha mendoj për Kosovën, Republikën Serbe, Malin e Zi”, kishte deklaruar ai, ndërsa kishte shtuar se nëse bëhet president, do të rihap “çështjen e okupimit të krahinës serbe”.

Për dallim prej tij, një tjetër kandidat ka qenë krejtësisht me ide të kundërt. Nenad Çanak, nga Liga Socialdemokrate e Vojvodinës, ka promovuar idenë se Kosova nuk është pjesë e Serbisë dhe është shtet i pavarur, fakt me të cilin duhet pajtuar të gjithë serbët.

Në një intervistë për agjencinë e lajmeve Beta, ai pati thënë se është fakt që me Kosovën ka vendkalime kufitare dhe se qytetarët e Serbisë nuk mund të shkojnë në Kosovë pa pasaporta, dhe se kufirin me Kosovën e sigurojnë ndërmjet tjerash edhe forcat ndërkombëtare, që do të thotë se bashkësia ndërkombëtare garanton për kufirin, raporton Koha.net.

“Po, Kosova është e pavarur nga Serbia - ajo është e humbur gjatë luftës- atë luftë e ka udhëhequr regjimi i Sllobodan Millosheviqit. Po ai regjim ka shkaktuar bombardimet e NATO-s”, pati thënë Çanak. “Me gënjeshtra mund të ëndërrohet, por me gënjeshtra nuk mund të jetohet”, pati shtuar ai.

Çanak kishte theksuar se Industria e Naftës e Serbisë u është shitur partnerëve rusë “larg nën çmim”, me arsyetimin se Rusia do të ndihmojë që Kosova të mos bëhet e pavarur dhe se do të ndërtohet rrjedha Jugore.

“Kosova është e pavarur, nuk ka rrjedhë Jugore, pra kthenani NIS-in dhe shkoni në shtëpi”, ka thënë Çanak.

Por, këto ide nuk iu shpaguan as njërit e as tjetrit.

Për Sheshelin votuan 4,47 për qind e votuesve, apo 149,578 votues, kurse për Çanakun vetëm 38,244 votues, apo në përqindje, 1.14%.