Kryeredaktori i Kohës Ditore, Agron Bajrami, në emisionin Interaktiv të KTV-së, ka thënë se gazeta lindi si nevojë e shoqërisë për të pasur një medium të pavarur dhe profesional.
Në 20 vjetorin e Kohës Ditore, Bajrami ka thënë se në vitin 1997 kishte pak mediume në gjuhën shqipe dhe ato që ekzistonin ishin të politizuara në bazë të rrethanave.
“Koha Ditore është produkt i nevojës për të pasur një medium të pavarur dhe profesional. Ka qenë gazeta e parë ditore e pavarur. Në vitin 1997 nuk ka pasur qasje të internetit dhe programet satelitore vështirë përcilleshin. Kishte pak mediume në gjuhën shqipe”, ka thënë Bajrami.
“Ne nuk kishim medium që do të informonte paanshëm. Ishin disa mediume, por shumica e tyre ishin të politizuara në bazë të rrethanave. Kemi arritur që ta botojmë gazetën në ekzil vetëm për t’u mos dorëzuar nga Serbia”, ka thënë veç të tjerash kryeredaktori i Kohës Ditore.
Bajrami ka thënë se Koha Ditore është njëra prej institucioneve që kanë kontribuar në sukseset që ka Kosova.
Ai ka thënë se gjatë këtyre 20 vjetëve gazeta asnjëherë nuk ka rënë pre e agjendave të politikës dhe se deri më tani Koha Ditore ka punuar që t’ia sjell lexuesit lajmin ashtu siç është.
“Jemi një gazetë që përpiqet dhe punon për t’ia sjellë një lajm lexuesit, dhe jo ta modifikojë atë sipas dëshirës së një politikani. Shpesh herë u pengon ajo çfarë shkruajmë, por ne nuk lejojmë që agjendat e politikës që të tregojnë se çfarë do të shkruajmë sot”, ka thënë veç të tjerash Bajrami.
Për Bajramin ballina e preferuar mbetet ajo e Pavarësisë së Kosovës, por nuk ka harruar të përmend ballinën e paralajmërimit të bombardimeve të NATO-s dhe ajo e djegur me shtypshkronjën.