Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Lekaj: Marrëveshja për demarkim të anulohet, negocimin me Malin e Zi ta bëjë Qeveria e re

Grupi Parlamentar i AAK-së, përmes një reagimi dërguar mediave, Komisionin qeveritar për matjen e territorit të vendit e ka quajtur pa kredibilitet dhe pa legjitimitet.

Në këtë reagim, shefi i GP i AAK-së, Pal Lekaj, thotë se ky komision, i formuar nga Qeveria e Kosovës, është i përbërë nga ata të cilët e kanë mbrojtur versionin aktual të demarkacionit, ndërsa thotë se opozita dhe qytetarët s’mund t’i besojnë “Hivzi Islamit dhe Tomor Qelës të cilët hapur e kanë mbrojtur versionin aktual të demarkacionit”.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Prandaj, vlerësoj se ky komision është vetëm mbulesë për Qeverinë e koalicionit për t’i shantazhuar deputetët e Kuvendit për ta votuar demarkacionin”, thotë Lekaj, raporton Koha.net.

Zyrtari i AAK-së thotë se partitë opozitare dhe kryetarët e Komunave të Deçanit dhe Junikut kanë refuzuar të jenë, siç thotë ai, “pjesë e këtij cirku” pasi “nuk mund të jemi pjesë e një komisioni, i cili do të matë territorin e vendit për sa kohë qe kufijtë e vendit mbesin të padefinuar”.

“Se nuk mund të matet territori i vendit pa u definuar kufijtë e kanë thënë edhe ekspertët e gjeodezisë, madje edhe deputetë të koalicionit”, thekson më tej Lekaj.

Grupi Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës do të vazhdojë, bashkë me partitë opozitare, që të kundërshtojnë këtë marrëveshje “e cila i humbet vendit mbi 8 mijë hektarë”.

Shefi i GP të AAK-së i ka bërë thirrje Qeverisë që të ndalë përpjekjet e tyre për të kaluar këtë marrëveshje pasi ajo nuk do të kalojë.

“Qeveria duhet që ta anulojë në tërësi këtë marrëveshje dhe të shkarkojë Komisionin Shtetëror i cili ka bërë demarkimin e kufirit me Malin e Zi, dhe pastaj Qeveria e ardhshme, e cila do të formohet si rezultat i vullnetit të popullit, ta negociojë me Malin e Zi demarkimin e kufirit”, potencon shefi i deputetëve të AAK-së, Pal Lekaj.

“Thirrjet e Thaçit e Mustafës se kalimi i demarkacionit e bën të mundshëm liberalizimin e vizave janë të pavërteta, sepse e kanë thënë edhe zyrtarët e lartë të Bashkimit Evropian se Kosova nuk do të marrë liberalizimin e vizave për sa kohë që nuk luftohet krimi dhe korrupsioni i organizuar, i cili po lulëzon çdo ditë e më shumë”, ka përfunduar ai.