Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Mediat serbe pretendojnë se “radikalët e Vetëvendosjes sulmuan me gurë” autobusët me serbë

Mëngjesi i sotëm zbardhi me bllokime rrugësh nëpër shumë magjistrale e rrugë tjera të Kosovës.

Dhjetëra qytetarë ishin mbledhur në magjistralen Gjilan – Prishtinë, po ashtu edhe në magjistralen Prishtinë – Mitrovicë, por edhe në Rahovec, tek rruga që të çon për në Hoçë të Madhe.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Ata po kundërshtonin ardhjen e një delegacioni serb i cili kishte paralajmëruar pjesëmarrjen në një tubim elektoral në Leposaviq.

Mediat në serbi thonë se më shumë se 60 autobusë me serbë të cilët ishin nisur për në këtë tubim, e të cilët do të përkrahnin kandidatin presidencial të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, janë ndaluar në shumë vende, transmeton Koha.net.

“Blic” thotë se ishin rreth 3 mijë serbë që nuk u lejuan të kalojnë përmes Leposaviqit.

Sipas mediave serbe, rrugët ishin të bllokuara në afërsi të Novobërdës, Hoçës së Madhe, Shtërpcës dhe Gorazhdecit. Gjithashtu, sipas “Blicit”; janë bllokuar edhe rrugës Prishtinë – Vushtrri, Ferizaj – Shtërpcë, Gjilan – Prishtinë e Pejë – Prishtinë.

Në Leposaviq është paraparë mbajtja e një tubimi elektoral të Partisë Përparimtare Serbe në të cilën është pritur të flas nënkryetari i partisë, Marko Gjuriq dhe anëtarë të presidencës serbe, Nikola Selakoviq dhe Bratislav Gashiq.

Ndërkaq, agjencia serbe e lajmeve “Srna”, ka raportuar se pjesëtarë të “Lëvizjes radikale Vetëvendosje kanë sulmuar me gurë” konvojin e autobusëve me serbë në fshatin Llabjan (magjistrala Prishtinë – Gjilan) që ishin nisur për në tubimin e SNS-së në Leposaviq.

“Konvoji është ndalur pasi radikalët shqiptarë kishin bllokuar rrugën”, ka thënë për agjencinë “Srna” kryetari i Novobërdës, Svetislav Ivanoviq.

Ai ka shtuar se Policia ka intervenuar dhe ka këshilluar organizatorët e konvojit që të shmangin rrugën Gjilan – Ferizaj – Prishtinë – Leposaviq.

Në këtë tubim të paralajmëruar për në orën 13:00, është paraparë që të marrë pjesë edhe kandidati për president të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, por i njëjti anuloi vizitën e tij me pretekstin se “nuk i pranon kushtëzimet e Prishtinës”.