Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Zgjedhja e Talat Xhaferit nuk e federalizon Maqedoninë

Kuvendi i Republikës së Maqedonisë sot në mesditë vazhdoi seancën konstituive në të cilën debatohet për zgjedhjen e kryetarit, zëvendës kryetarit dhe anëtarëve të Komisionit për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve, ndërsa në rend dite është edhe zgjedhja e kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë, për votimin e të cilit nevojiten 61 vota nga numri i përgjithshëm i deputetëve.

Sipas marrëveshjes paraprake mes partive politike, VMRO-DPMNE-ja do të ketë gjashtë anëtarë në Komisionin për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve, LSDM-ja pesë, ndërsa BDI-ja dhe Lëvizja BESA nga një anëtar. Konfirmimi i propozimit për përbërje të Komisionit për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve është parakusht për vazhdim të seancës konstituive kuvendore, e cila filloi më 30 dhjetor të vitit të kaluar, por u ndërpre për shkak se nuk u sigurua shumicë parlamentare për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Për debatin mbi Komisionin për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve janë paraqitur 51 deputetë të VMRO-DPMNE-së të cilët me replikat e tyre ndaj bashkëpartiakëve të tyre, sipas LSDM-së dhe BDI-së, synojnë të vonojnë dhe të bllokojnë procedurën vijuese për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.

Gjatë ditës së djeshme, LSDM-ja, BDI-ja dhe Aleanca për Shqiptarët me nënshkrimin e 20 deputetëve dorëzuan propozim për kryetar të ri të Kuvendit kandidatin e BDI-së, Talat Xhaferi, mirëpo VMRO-DPMNE-ja kërkon që kandidati i ri që do të propozohet duhet të jetë kundër platformës shqiptare.

Ndërkohë, kandidati i propozuar për kryetar të Kuvendit, Talat Xhaferi, u refuzua edhe nga Lëvizja BESA, sepse sipas tyre, "ai ka një të kaluar me krime të shumta dhe nuk do të kontribuojë në qeverinë e re të paralajmëruar reformuese".

“Pse nuk e respektoni rregulloren dhe pse nuk lejoni zgjedhjen e Komisionit dhe të kryetarit të Kuvendit dhe më vonë t’i diskutojmë të gjitha pikat që ju pengojnë, si gjuha shqipe apo e ashtuquajtura “Platforma e Tiranës”, tha deputetja e LSDM-së Ivana Tufekxhiq në ndërhyrje procedurale duke shtuar se obstruksionet e tilla bëhen me qellim të zgjatet procesi.

Deputetja akuzoi deputetët e VMRP-DPMNE-së se qëllimisht zvarrisin procesin për emërimin e kryetarit të Kuvendit dhe me vetëdije po pengojnë jetën normale të qytetarëve të Maqedonisë me qëllim që t’i shpëtojnë burgut.

Antonio Milloshoski nga VMRO-DPMNE tha se nuk do të ishte e drejtë të kapërcehen pikat nga rendi i ditës dhe shtoi se është procedurale të vazhdohet me rendin e ditës siç është votuar.

Bashkëpartiaku i tij Ilija Dimovski kërkoi që opinioni ta shohë tekstin e ligjit për përdorimin e gjuhëve që e kanë konfirmuar LSDM dhe BDI, ndërsa pastaj të flitet për zgjedhjen e Talat Xhaferit për kryetar të Kuvendit.

Ferid Muhiq theksoi se në Kuvend është e nevojshme të ketë debate, por debatet, siç tha, duhet t’i respektojnë faktet. Në replikë Ilija Dimovski theksoi se mungojnë fakte, veçanërisht për Ligjin për gjuhë që e kanë dakorduar LSDM dhe BDI.

Ademi: Mosmarrëveshjet BDI-VMRO nuk kishin të bënin me gjuhën shqipe, por me PSP-në

“Nuk është morale të flitet për Tetovën dhe Teuta Arifin, sepse zonja Arifi nuk është deputete dhe ujësjellësi i Tetovës nuk është nën rend dite”, tha Ademi, duke shtuar se mosmarrëveshjet mes BDI-së dhe VMRO-DPMNE-së nuk ishte Ligji për gjuhën shqipe, por problemi ka qenë vazhdimi i mandatit të Prokurorisë Speciale Publike. Nuk ka qen problem as kryetari i Kuvendit, por problem ka qenë PSP-ja, ngritja e padive ndaj funksionarëve shtetërorë. Nuk është problem as deklarata e përbashkët e partive shqiptare. Ne po diskutojmë për zgjedhjen e kreut të Kuvendit që ka dy rrugë ose përmes Komisionit për zgjedhje dhe emërime, ose përmes firmave të 20 deputetëve.

Ilija Dimovski në kundër-replikën e tij tha se pajtohet vetëm në një gjë me Ademin.

“Po problem ka qen PSP-ja, ama për shkak të asaj se PSP-ja në dy muajt e fundit filloi të merret me BDI-në dhe funksionarët e sajë”, tha Dimovski.

Ferid Muhiç në ndërhyrjen procedurale tha se është i domosdoshëm debati dhe pikërisht vendi për debat është këtu në Kuvend, por debati nënkupton respekt ndaj fakteve dhe respekt ndaj bashkëbiseduesve dhe kërkoi që sa më parë të zgjidhet kryetari i Kuvendit.

Misovski-Veljanoskit, a mund Talat Xhaferi ta federalizojë Maqeodninë?

Gjatë seancës së sotme parlamentare Goran Misovski përmes ndërhyrjes procedurale kërkoi që siç u shpreh ai të ndërpritet ky teatër dhe të zgjidhet Talat Xhaferi për kryetar të Kuvendit. Ai madje në mënyrë direke pyeti kryesuesin e seancës se vallë është Talat Xhaferi ai i cili do ta federalizojë Maqedoninë.

“Dëshiroj të reagoj sepse ju silleni si kryetar parlamenti dhe jo si kryesues i seancës. Çfarë keni kundër Talat Xhaferit që të zgjidhet kryetar i Kuvendit. Ai që në kohën e juaj ishte ministër! Si mund Talat Xhaferi ta federalizojë Maqedoninë?”, pyeti Misovski.

Ndërkohë Trajko Veljanoski në përgjigjen e tij apeloi deri tek deputetët që të tërhiqen nga replikat dhe kundër-replikat që të mund të arrijnë deri tek pika me katërt që është zgjedhja e kreut të Kuvendit.

Ndryshe edhe sot seanca parlamentare ka vazhduar me replikat dhe kundër replikat. Kështu ndaj fjalimit të Ilija Dimovskit nga VMRO-DPMNE-ja po replikojnë thuajse të gjithë deputetët që vijnë nga kjo parti. E para sot mori fjalën Liljana Zaturovska.

“Për fat të keq problemet në shtet dikush i sheh vetëm nga një prizëm, duke mbajtur llogari vetëm për interes të tyre partiake. Këtë populli e quan egoizëm”, tha Zaturovska.

Ilija Dimovski, gjatë kundër-replikës u ndal në ujësjellësin e Tetovës, temë kjo që nuk korrespondonte me rendin e ditës dhe si e tillë nxiti reagimin procedural të deputetit të BDI-së Xhevat Ademi.