Komisioni për Buxhet dhe Financa, në mbledhjen e sotme, ka shqyrtuar dhe aprovuar Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve (KASH), po ashtu edhe raportin e shpenzimeve për vitin 2016 të Kuvendit të Kosovës.
Në këtë vendim është paraparë rritja e pagave dhe mëditjeve për deputetët e Kuvendit të Kosovës, gjë për të cilën deputetët nuk kishin vërejtje, por vërejtjet e tyre kryesore gjatë shqyrtimit të kornizës ishin shpenzimet për subvencione dhe investimet kapitale.
Mirëpo, ndaj këtij vendimi ka reaguar kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i cili tha se është kundër rritjes së paraparë të pagave.
“Sapo dëgjova për planet e disa deputetëve për rritje të rrogave të tyre. Jam kategorikisht kundër rritjes së rrogave të politikanëve. Kur popullit t’ia rrisim rrogat dhe standardin e jetës, atëherë politikanët le të mendojnë për rrogat e veta”, ka deklaruar kryeparlamentari Veseli, raporton Koha.net.
Reagim të ngjashëm ka pasur edhe nga ana e deputetit të Kuvendit të Kosovës nga partia “Fjala”, Gëzim Kelmendi, i cili këtë vendim e ka quajtur të turpshëm.
“Turp, turp, turp, skandal, skandal...! Rriten pagat dhe mëditjet për deputetët. Vendimi për rritjen e pagave dhe mëditjeve për deputetët, që sapo mori komisioni parlamentar për Buxhet dhe Financa, është vendim i turpshëm dhe skandaloz dhe kundër mirëqenies sociale të të gjithë qytetarëve të Kosovës. E kam kundërshtuar mandatin e kaluar, do ta kundërshtoj edhe këtë mandat këtë vendim të turpshëm dhe skandaloz”, ka komentuar Kelmendi.