Politika shqiptare në përgjithësi, por veçmas PS-ja dhe PD-ja, është molepsur nga deklaratat që kanë ardhur nga të huajt, kushdo qofshin ata, komenton sot Shekulli.
Vetëm gjatë dy ditëve të fundit, shumica dhe opozita kanë nisur një garë të (pa)kuptimtë për të bindur shqiptarët se faktori ndërkombëtarë është në anën e tyre. Dhe dje është përsëritur e njëjta histori. Letra që zëvendëskryetari i grupit të CDU-CSU në Parlamentin gjerman, Franz Josef Jung, i ka dërguar ditë më parë kreut demokrat për situatën politike në Shqipëri është (keq)përdorur nga Partia Socialiste por pas nuk ka mbetur as Partia Demokratike.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoShefi i politikës së jashtme në CDU, në letrën që i ka dërguar me datë 13 mars kreut demokrat, shprehet se faktori politik që ai përfaqëson është i shqetësuar për standardet e zgjedhjeve të 18 qershorit, por nuk e sheh zgjidhje as bojkotimin e Kuvendit. “Edhe ne jemi gjithashtu shumë, shumë te shqetësuar që në zgjedhjet e 18 qershorit mund të ketë falsifikim të madh të zgjedhjeve si rezultat i blerjes së votave dhe mjeteve të tjera. Por ne mendojmë se është rruga e gabuar, që ky problem mundohet të zgjidhet përmes bojkotit parlamentar dhe deklarimin e mos regjistrimit për zgjedhjet e 18 qershorit, nëse qeveria e zgjedhur shqiptare nuk jep menjëherë dorëheqjen dhe të zëvendësohet me një “qeveri teknike”.
Zyrtari i lartë i partive të djathta gjermane paralajmëron Bashën për pasoja të rënda jo vetëm për vendin, por dhe për vetë Partinë Demokratike. “Vonesa e Reformës në Drejtësi dhe bojkoti i zgjedhjeve nga opozita do ta kthenin Shqipërinë shumë mbrapa në rrugën e saj drejt BE-së. Dhe do të dëmtonte shumë marrëdhëniet mes PD-së dhe CDU / CSU-se. Kjo nuk është në interesin tonë!”, tha Franz Josef Jung. Në emër të grupimit politik CDU-CSU, ai i lutet Partisë Demokratike ti japë fund bojkotit, duke nënvizuar se ka mënyra të tjera për të ulur rrezikun e manipulimit të zgjedhjeve, ndërsa garanton se të djathtët gjermanë janë të gatshëm të ndihmojnë të gjitha forcat politike shqiptare, për të ndërtuar ura dhe për të bërë gjithçka për të siguruar zgjedhje të drejta.
Duke folur për deklaratat “kundra”, që sipas shumicës kanë ardhur në adresë të PD-së, Basha ka këmbëngulur se ka marrë mbështetje totale në Uashington, e cila sipas tij do të përkthehet në aksion politik. “Ingranazheve në mediave dhe në lobingjet ndërkombëtare, dua të jap një mesazh të qartë; ky shesh, kjo agorë, Partia Demokratike, Lulzim Basha dhe gjithë shqiptarët e ndershëm, po kam marrë mbështetje totale në Uashington. Këtë mbështetje e përkthejmë në këtë aksion politik që ka një qëllim dhe vetëm një qëllim; Shqipërinë e standardit evropian, Shqipërinë e standardit euroatlantik. Asgjë më pak nuk do të pranojmë për Shqipërinë dhe shqiptarët”, tha Basha. Ndërsa duke u ndalur kritikat që një pjesë e ndërkombëtarëve kanë ardhur ndaj tij, ai përgjigjet prerë.
“Me dashamirësi dhe mirënjohje ndaj miqve që na mbështesin pa kushte, me mirëkuptim dhe durim ndaj miqve që kanë akoma nevojë të sqarohen dhe të kuptojnë surratin e vërtetë të mafies shqiptare. Pa asnjë milimetër tërheqje para çdo kujt që ka vendosur para interesit të shqiptarëve, interesin e xhepit të vet, ju them dhe i garantoj se nuk do të ketë asnjë tërheqje”, nënvizoi Basha, duke shtuar më tej se nuk do të pranojë kurrë një drejtësi të kapur nga kryeministri Edi Rama. Mesditën e ditës së djeshme, kryetari i PD, Lulzim Basha ka zhvilluar një takim me kryetarët dhe sekretarët e degëve të kësaj partie. Nga takimi mësohet se është vlerësuar se nuk ka asnjë tërheqje nga objektivat dhe kërkesat e opozitës. Po ashtu ai u ka kërkuar kryetarëve të degëve të PD-së që të përshkallëzojnë protestën. “Opozita është e vendosur se zgjedhje me Ramën nuk do të ketë, ndërsa është kërkuar mobilizim i të gjitha energjive për protestën”, mësohet ti ketë thënë kreu demokrat krerëve të degëve.
Vendimi
Partitë e koalicionit opozitar vendosin të mos regjistrohen në KQZ si subjekte zgjedhore për zgjedhjet e 18 qershorit deri në arritjen e një marrëveshjeje politike për krijimin e qeverisë teknike me mbështetje të gjerë. Ky është vendimi që është marrë nga partitë e koalicionit opozitar dhe që përcillet për median përmes një deklarate të përbashkët.
“Partitë e koalicionit opozitar duke shqyrtuar krizën e thellë politike ku ndodhet Shqipëria, kërcënimin e zgjedhjeve nga krimi i veshur me pushtet, droga dhe paratë e pista dhe vendosja e të gjitha strukturave shtetërore në funksion të fushatës së partive qeverisëse, konfirmojnë njëzëri vendimin e shpallur me 18 shkurt: se zgjidhja e vetme që garanton zgjedhje të lira dhe të ndershme është krijimi i një qeverie teknike me mbështetje të gjerë politike, e cila do të zbatojë ligjin e dekriminalizimit, do të luftojë me efikasitet narkotrafikun, krimin e organizuar dhe paratë e pista të drogës dhe do të krijojë kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Duke marrë në konsideratë raportet e fundit ndërkombëtare si ai i Departamentit Amerikan të Shtetit dhe i EUROPOL, në të cilat Shqipëria kryeson listën euopiane për prodhimin e trafikimin e drogës dhe pastrimin e parave, është e qartë se shqiptarët ndodhen në kushtet e asgjësimit të zgjedhjeve të lira nga krimi i organizuar dhe paratë e drogës me lidhje qeveritare. Në këto kushte, partitë e koalicionit opozitar konfirmojnë unanimisht vendimin për mosparaqitjen e kërkesës për regjistrim si subjekte zgjedhore në KQZ deri në arritjen e një marrëveshje politike për krijimin e qeverisë teknike me mbështetje të gjerë.
Borchardt: Shumica të dialogojë me opozitën, kanabisi shqetësim
Ambasadori i OSBE në Tiranë, Bernd Borchardt, tha dje se proceset që të ecin përpara duhet të ketë dialog mes shumicës dhe opozitës. Ai u ndal në mënyrë të veçantë te çështja e zgjedhjeve të lira, ku kërkoi që të përmirësohet Kodin Zgjedhor. “Besoj fuqimisht që shqiptarët meritojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme, në kohë dhe me përfaqësimin e duhur të të gjitha partive.
OSCE/ODIHR-i po përgatit një mision shumë të plotë për vëzhgimin e zgjedhjeve. Nëse partitë duan që zgjedhjet të bazohen te një ligj më i mirë zgjedhor-atëherë ato duhet të gjejnë konsensus për përmirësimet. I kemi nxitur prej më shumë se një viti që ta bëjnë këtë gjë. Kemi bërë shumë rekomandime për përmirësime. Mënyra për të ecur para duhet të jetë dialogu për përmirësimet e Kodit Zgjedhor dhe jo kërcënimet për një bojkot të zgjedhjeve; një bojkot vetëm sa do të dëmtonte vendin dhe ata që e fillojnë atë.
Kërcënimet për të ndërprerë procesin e rregullt demokratik do të ishin shumë të papërgjegjshme; janë shumë të paktë ata shqiptarë që mund të duan që vendi të shkojë 20 vite pas. Thirrjet për dhunë janë një territor ku nuk duhet shkelur absolutisht”, tha Bernd Borchardt në një intervistë për gazetën në anglisht “Albanian Daily News” me rastin e 20-vjetorit të krijimit të Prezencës së OSBE-së në Shqipëri. Ai tha më tej se puna e OSBE është fokusuar tek funksionimi i institucioneve dhe afrimi i tyre me qytetarët.
“Ne përpiqemi të bindim partnerët tonë shqiptarë për rekomandimet tona dhe për standardet ndërkombëtare që përfaqësojmë. Por, vendimet i merr Shqipëria si shtet sovran dhe institucionet e saj”, tha Bernd Borchardt. Duke folur për kanabisin, kreu i prezencës së OSBE thotë se Shqipëria ka bërë përpara në këtë drejtim, por problemi ende nuk është zgjidhur. Ai nxit qeverinë të zbatojë plan veprimin për të luftuar kanabisin. “Ajo që ka ndryshuar sot është që politika dhe shoqëria diskutojnë për kanabisin. Kapja e vazhdueshme e marijuanës dhe hashashit tregon që problemi nuk është zgjidhur. Qeveria ka hartuar një plan veprimi për të luftuar kanabisin, Prezenca e OSBE-së ishte e ftuar për të kontribuuar në këtë plan dhe e dha kontributin e saj. Ne e nxitim qeverinë që të zbatojë këtë plan veprimi me energji”, tha Bernd Borchardt.
Vlahutin: Sigurojmë integrimin e Ballkanit në BE, duhen reforma
Ambasadorja e Bashkimit Evropian, në Tiranë Romana Vlahutin thekson se integrimi i Ballkanit Perëndimor është tejet i rëndësishëm për BE-në dhe se vendet përkatëse duhet të marrin vendime të rëndësishme për të ardhmen e qytetarëve të tyre.
“Mogherini e qartë kur tha se be nuk ka për të qenë i plotë pa Ballkanin Perëndimor. Sigurojmë angazhimin tonë për të përfshirë Ballkanin perëndimor në BE. Integrimi në BE është një proces që ka në thelb qytetarët. Çdo gjë që ne si be bëjmë në Shqipëri e bëjmë për qytetarët. Do të duhet vendosmëri për të arritur në fund të procesit të integrimit. Do të duhet kurajë për të marrë vendime të rëndësishme”, tha Vlahutin. Deklaratat e saj u bënë gjatë inaugurimit të qendrës së informimit të BE-së në Tiranë, ku ishte i pranishëm edhe ambasadori italian Alberto Cutillo.