Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Prokuroria s’e heton konfliktin e interesit të anëtarëve të KPK-së, që ia zgjaten mandatin vetes

Këshilli Prokurorial i Kosovës ka refuzuar të ofrojë qasje në vendimin për mbylljen e hetimeve për tre ish-anëtarët e Këshillit Prokurorial të Kosovës, që kryen konflikt interesi kur votuan që t’ia zgjasin mandatin vetës.

Prokurori i Prokurorisë Speciale, Ali Rexha, u suspendua me arsyetimin se ka iniciuar hetime të jashtëligjshme dhe hakmarrëse, pasi të njëjtat ishin mbyllur me aktvendimin PNN. 697/2015 të datës 24 janar 2017.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Kohavisioni ka kërkuar qasje në dokumente zyrtare dhe në aktvendimin në fjalë, por pas 8 ditësh, ka marrë një përgjigje negative nga Këshilli Porkurorial i Kosovës.

Sipas tyre, meqë Prokurori i Shtetit ka hetuar rastin në fjalë dhe ka dalë me përfundim se nuk është kryer vepër kundërligjore, e ka mbyllur rastin me aktvendim dhe meqë i njëjti përmban të dhëna personale të palëve në procedurë, kërkesa refuzohet.

“Kërkesa e juaj nuk mund të realizohet sepse me publikimin e këtij aktvendimi, mund të bëjmë shkelje të Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Po ashtu, kur kësaj i shtohet që rasti në fjalë është hetuar nga një organ kompetent dhe i thirrur për hetimin e rasteve të dyshuara kundërligjore dhe si rezultat nuk është gjetur asnjë provë për shkelje ligjore, atëherë vlerësojmë që nuk është në interesin e askujt për të publikuar këtë vendim”.

Një vendim i tillë dëshmon se sistemi prokurorial zbaton standarde të dyfishta lidhur me publikimin e vendimeve të prokurorëve.

Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit kishte publikuar ne faqen zyrtare vendimin për hedhjen poshtë të kallëzimit penal në rastin e dosjes së manipuluar të Kryeprokurorit të Shtetit.

Sidoqoftë, Kohavisioni ka arritur të shohë vendimin e mbylljes së hetimeve PPN. Nr 679/15. Por i njëjti vendim përmban diçka tjetër.

Aty hidhen poshtë pretendimet e një qytetari të Gjilanit, i cili kishte ngritur kallëzim Penal ndaj gjyqtarëve Enver Peci, Valdete Daka, prokurorëve Sevdije Morina, Jetish Maloku, anëtarit të KPK-së Bajram Uka si dhe kryetarit të Gjilanit, Lutfi Haziri.

Pra ky rast i mbyllur nuk ka lidhje me rastin e iniciuar nga prokurori Ali Rexha, për hetimin e konfliktit të interesit të anëtarëve të KPK-së.

Rasti i mbyllur ishte iniciuar nga parashtruesi anonim, i cili kishte ngritur kallëzim penal ndaj të lartpërmendurve për arbitrarizëm dhe vetë gjyqësi, duke futur këtu edhe punësimet familjare dhe favoret që sipas tij, të pandehurit i kishin bërë njëri-tjetrit.

Duke paraqitur një vendim tjetër nën pretendimin se është hetuar një herë rasti i iniciuar nga prokurori Ali Rexha, vërehet tentimi i prokurorisë për manipulim të opinionit publik.