Arbëri

Surroi sugjeron mbështetje institucionale Kandiqit për Çmimin Nobel

Shkrimtari e publicisti Veton Surroi i ka sugjeruar Kuvendit të Kosovës që të votojë një Rezolutë në përkrahje kandidimit të Natasha Kandiqit dhe të FDH-së për Çmimin Nobel për Paqe 2018.

Surroi ,në një postim të vetin në Facebook ,e ka arsyetuar këtë sugjerim me punën kolosale që Kandiq dhe organizata e saj e kanë bërë në dokumentin e krimeve të luftës në ish –Jugosllavi si dhe krimet e luftës të Serbisë në Kosovë.

FDH, themeluar nga Natasha Kandiq, është sot i vetmi institucion i besueshëm që ka dokumentuar luftën në Kosovë dhe krimet e bëra në të, ka shkruar Surroi.

Ky është postimi i plotë i tij:

Deputetëve të Kuvendit të Kosovës:

të nderuar zonja dhe zotërinj,

më datën 31 janar 2018 senatori amerikan Roger Wicker dhe përfaqësuesi Eliot Engel nominuan Natasha Kandiqin dhe Fondin për të Drejtën Humanitare për Çmimin Nobel për Paqe 2018.

Natasha Kandiq dhe FDH kanë qenë dhe mbeten dokumentuesit kryesorë të krimeve e viktimave të luftërave të ish Jugosllavisë dhe kanë qenë dhe janë bartësit kryesorë të shtyllës kryesore të idesë se pajtimi mes kombeve e qytetarëve mund të bëhet nëpërmjet të ballafaqimit me të kaluarën.

FDH, themeluar nga Natasha Kandiq, është sot i vetmi institucion i besueshëm që ka dokumentuar luftën në Kosovë dhe krimet e bëra në të. Kujtesa kolektive e Kosovës së luftës në masë të madhe është ruajtur falë punës së FDH dhe Natasha Kandiqit.

Përgjatë viteve të zhbërjes së ish Jugosllavisë, zëri i Natasha Kandiqit ka qenë i qartë në vetminë dhe guximin e vet, kundër fashizmit serb dhe fashizmave të tjerë.

Sugjeroj që Kuvendi i Kosovës, me pajtim të gjitha grupeve parlamentare, të votojë një Rezolutë për kandidimin e Natasha Kandiqit dhe FDH-së për Çmimin Nobel për Paqe 2018. Me këtë do të nderonte jo vetëm punën e vetmohueshme të FDH-së dhe Natasha Kandiqit,aq të rëndësishme për Kosovën dhe të gjithë qytetarët e saj, por edhe idenë , më se të nevojshme për Kosovën dhe tërë regjionin, e pajtimit të popujve dhe qytetarëve nëpërmjet të ballafaqimit me të kaluarën