Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Rexha, Bytyqit: Mos e shkatërroni Arsimin e Lartë me këshilla të plagjiatëve

Ish-kryetari i Këshillit Shtetëror të Agjencisë së Kosovës për Akreditim, Blerim Rexha, i ka reaguar ministrit të Arsimit, Shyqiri Bytyqi, i cili mbrëmë në emisionin “Puls” të KTV-së ka thënë se kjo agjenci “nuk e ka kryer punën si duhet ...dhe kanë përdorur standarde të dyfishta për dhënien e licencave ...”.

Për këtë arsye, sipas Bytyqit, kryeministri Ramush Haradinaj, ka kërkuar që të shkarkohen të gjithë anëtarët e Këshillit Shtetëror të Cilësisë (Bordit) të Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA).

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Por Rexhaj thotë se e tërë kjo gjendje erdhi pasi “kërkesa jonë e vazhdueshme për përmbushje të standardeve dhe cilësi dhe ka qenë pengesë e pakalueshme për disa bartës privatë të Arsimit të Lartë” dhe thotë se për pasojë “8 nga ata janë mbyllur”.

“Andaj, mos e shkatërro Agjencinë, mos e shkatërro Arsimin e Lartë duke u bazuar në këshilla dhe interesa të kopjuesve, me tituj falsë e plagjiatë! Kopjuesit nuk mund të kontribuojnë në ngritjen e cilësisë në Arsimin e Lartë, ata s’kanë çka ju ofrojnë as juve as Kosovës”, ka thënë Rexhaj, raporton Koha.net.

Më poshtë reagimi i tij i plotë:

Mbrëmë, në emision “Puls” te KTV, Ministri i Arsimit Shyqiri Bytyqi paska deklaruar se arsyeja kryesore për shkarkimin e të gjithë anëtarëve të Këshillit Shtetërorë të Cilësisë (Bordit) të Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA) ka qenë “...se ata nuk e kanë kryer punën si duhet ...dhe kanë përdorur standarde të dyfishta për dhënien e licencave ...”!

I nderuar Ministër, për hir të transparencës, ne jemi takuar vetëm një herë: në një takim 15-20 minutash, ditën e mbajtjes së mbledhjes së Bordit, në zyrën tuaj! Në atë takim, ju kam thënë se ne nuk jemi të kënaqur me cilësinë e Arsimit të Lartë, ashtu siç e kam deklaruar gjithnjë publikisht, dhe se përmbushja e standardeve është e vështirë, por kemi bërë progres të pamohueshëm dhe do të vazhdojmë të kërkojmë cilësi nga të gjithë bartësit e Arsimit të Lartë. Ketë progres të punës së Bordit e ka vlerësuar pozitivisht edhe Komisioni Evropian, të shprehur në raportin e progresit të Kosovës për vitin 2016. Por, ju e mohuat këtë raport, dhe tani e di krejt Kosova që pezullimi i 140 programeve i ka prekur thellë interesat e disa institucioneve private të arsimit të Arsimit të Lartë.

I respektuar Ministër, Agjencia asnjëherë nuk ka lëshuar licenca, ato janë detyrë dhe obligim i MASHT-it, ashtu siç kërkohet me Nenin 14 të Ligjit për Arsimin e Lartë! E sa i përket standardeve të akreditimit të institucioneve dhe programeve, ato kanë qenë të njohura për të gjithë bartësit e Arsimit të Lartë në Kosovë që nga themelimi i Agjencisë së Akreditimit në vitin 2008. Ne kemi kërkuar nga të gjithë t’i përmbushin ato standarde, edhe nga fakulteti im në Universitetin e Prishtinës edhe nga bartësit privatë të Arsimit të Lartë, pa dallim. E di, që kërkesa jonë e vazhdueshme për përmbushje të standardeve dhe cilësi dhe ka qenë pengesë e pakalueshme për disa bartës privatë të Arsimit të Lartë, 8 nga ata janë mbyllur! Vendimet tona kanë qenë transparente, të publikuara në ueb faqe të Agjencisë, me të gjitha sqarimet, për të gjithë njësoj.

Andaj, mos e shkatërro Agjencinë, mos e shkatërro Arsimin e Lartë duke u bazuar në këshilla dhe interesa të kopjuesve, me tituj falsë e plagjiatë! Kopjuesit nuk mund të kontribuojnë në ngritjen e cilësisë në Arsimin e Lartë, ata s’kanë çka ju ofrojnë as juve as Kosovës.