Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Bashkëveprimi, çelësi për integrimin e vendeve të rajonit në BE

Tiranë, 24 janar - 6 vendet e Ballkanit Perëndimor pas retorikave politike kanë zbritur tashmë në terren për të gjetur format e bashkëpunimit, në mënyrë që ato të integrohen më shpejt në Bashkimin Europian.

Në këtë kuadër, në Tiranë u mbajt këtë të mërkurë forumi ekonomik “Ballkani i së ardhmes: Drejt një përfshirje globale”, qëllimi i të cilit është të mundësojë një platformë diskutimi e propozimesh konkrete për përfshirjen e 6 vendeve në agjendën globale të zhvillimit. Në konferencë morën pjesë personalitete të larta të politikës dhe ekonomisë shqiptare dhe të rajonit.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Presidenti shqiptar, Ilir Meta në fjalën e tij dha tre mesazhe. I pari, nënvizonte rolin shumë të rëndësishëm që ka politika për të hequr çdo lloj barriere për bashkëpunimin ballkanik për një sërë problemesh. Së dyti, Meta përcolli mesazhin se pa integrim ne nuk mund të kemi zhvillim. Dhe mbi të gjitha, theksoi ai, tregu dhe kapitalet e hapin shumë më tepër portën e zhvillimit dhe krijojnë shumë më tepër mundësi për bashkëpunim se sa format arkaike.

“Duke vepruar bashkërisht dhe të koordinuar, ky rrugëtim drejt integrimit në Bashkimin Europian do të jetë më i shpejtë dhe më i suksesshëm”, deklaroi Presidenti.

Zëvendëskryeministrja Senida Mesi, paraqiti vizionin dhe strategjinë që qeveria shqiptare po ndërmerr në kuadër të bashkëpunimit rajonal.

“Jemi një nga vendet më me optimizëm në Ballkanin Perëndimor, për integrimin në BE”, u shpreh Mesi.

Objektivat e vendit, tha ajo, për rritje dhe zhvillim të qëndrueshëm nuk mund të shihen të jashtme dhe të pa integruara me rajonin. Qeveria shqiptare, sipas saj, beson se normalizimi i marrëdhënieve në Ballkanin Perëndimor dhe përforcimi i bashkëpunimit përmes dialogut dhe nismave konkrete për integrimin europian, janë procese prioritare të pandara nga aspirata e rritjes së secilit vend.

“Vendet kanë sfida të ndryshme por kanë një element të përbashkët, Të gjitha po ndërmarrin reforma të suksesshme duke bërë që këto të ecin së bashku sukseshëm drejt integrimit në BE.

Por vuri në dukje zv/kryeministrja Mesi, duhet të njohim më mirë njëri-tjetrin, kulturën e traditat tona. “Kjo kërkon angazhim të secilit, por edhe të partnerëve tanë serioz në BE, në mënyrë që ne të angazhohemi për të prezantuar më tepër veten”, deklaroi Mesi.

Sipas saj, procesi i Berlinit, fondet IPA të BE-së, si dhe iniciativa e re që do të prezantohet në fillim të muajit shkurt për përshpejtimin e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor nga BE, janë mekanizma të rëndësishëm që do të lehtësojnë rrugëtimin e vendeve të Ballkanit drejt BE-së.

Ndërsa Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko vuri në dukje se vendet e Ballkanit Perëndimor po konkurrojnë me njëri-tjetrin, ndërkohë që sipas tij, duhet të bashkëveprojnë.

“Duke konkurruar për të njëjtin grup investitorësh ndërkombëtarë, vendet e rajonit tonë shpesh përpiqen të rrisin dhe të nxisin profilin e tyre individual, duke ofruar lehtësira tatimore, apo subvencione të tjera. Kjo garë për të kapur fundin nuk është produktive”, tha guvernatori i Bankës së Shqipërisë.

Sipas tij, kjo nuk është produktive. “Zgjidhja e këtyre çështjeve kërkon largpamësi, bashkëpunim dhe bashkëveprim rajonal”, theksoi Sejko.

Secili nga vendet, vuri në dukje ai, kanë histori individuale si të suksesshme ashtu edhe gabime. Ajo që duhet të bëjmë është të nxjerrim mësimet e nevojshme nga të dyja këto.

Shqipëria, tha Sejko, ofron shembull pozitiv sa i takon stabilitetit ekonomik e financiar.

“Ka hapësirë për më tepër dialog. Pa politika të qarta konvergjence është i vështirë bashkëpunimi. Një bursë rajonale do të ishte një projekt i mundshëm e kuptimplotë. Nevojitet gjetja e një emëruesi të përbashkët për disa çështje si taksat, punësimin energjinë apo transportin”, deklaroi Sejko.

Investimet e huaja kyçe për integrimin e shpejtë

Politikani gjerman Rezzo Schlauch deklaroi se rritja e nivelit të investimeve është thelbësore për një integrim më të shpejtë të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, ndërsa e cilësoi vitin 2018 të rëndësishëm për këtë proces.

Ai renditi edhe 4 sektorët në të cilët Shqipëria ka avantazhe e që janë me interes për investitorët, konkretisht, energjinë, turizmin, bujqësinë dhe teknologjinë e informacionit.

Shqipëria, por edhe partnerët e saj, siç është Gjermania apo edhe vende të tjera të BE-së duhet të fuqizojnë më tepër përpjekjet për thithjen e investimeve.

“Aseti i Shqipërisë është uji. Ndaj ju mund të zhvilloni bujqësinë, duke prodhuar produkte, cilësia e të cilave është mjaft e mirë. Në pikëpamjen time, bujqësia ofron një oportunitet të madh”, deklaroi Schlauch.

Po ashtu, rol në zhvillimin e vendit do të luajë edhe zhvillimi i teknologjisë së informacionit, për të cilin Shqipëria renditet si vend me resurse.

“Pozitivisht në përshpejtimin e procesit të integrimit, politikani gjerman vlerësoi edhe qëndrueshmërinë politike të Shqipërisë, por edhe mbështetjen që populli i jep procesit. Në dijeninë time mbi 80% e shqiptarëve mbështesin procesin e integrimit europian, ndërsa kjo shifër në vendet e rajonit shkon diku te 40%'”, tha ai.

Zv/kryeministri i Kosovës, Enver Hoxha deklaroi se rajoni është në një stad më të mirë të lëvizjes drejt BE-së, Por tha ai, në 2018-n nuk mund të themi se rajoni ka vetëm perspektivë euroatlantike.

“Duhet të formësojmë një qëndrim të përbashkët që edhe për ne të kemi një kalendar kohor”, deklaroi Hoxha.

Veliaj me propozime për bashkitë më të mira

Edhe kur bëhet fjalë për çështjet e financave të qytetit, për kryetarin e bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj besimi dhe bashkëpunimi janë kryesore për zhvillimin e mëtejshëm të qyteteve.

Veliaj u ndal në disa propozime nisur nga menaxhimi që po kryhet në kryeqytetin shqiptar jo vetëm për të thithur investime por edhe për të ndryshuar konceptet e vjetra mbi mënyrën e trajtimit të problematikave.

Për kryetarit e Bashkisë së Tiranës ka shumë rëndësi që qytetet të luajnë një rol të pavarur nga politikat qendrore. Për të ilustruar këtë, ai solli në vëmendje shembullin e Londrës (kryeqytetit britanik) që ka nisur një betejë për më shumë europë, në një vend që ka nisur të dalë nga BE-ja.

“Ky është shembulli më tipik që ilustron se çfarë fuqie ka një qytet që përtej edhe të politikës kombëtare të ketë një axhendë dhe një politikë të vetën. Besoj se, sidomos për kryeqytetet tona, për Tiranën, Zagrebin, Prishtinën, Athinën, Sarajevën, Beogradin, ka nevojë për këtë rol”, tha Veliaj.

{gallery}