Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kuvendi korrigjon agjendën për mbledhjen e Kryesisë, s’tregon nëse shqyrtohet zhbërja e Speciales

Zyra për Media e Kuvendit të Kosovës e ka dërguar të korrigjuar mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës e cila pritet të mbahet nesër. Por nuk është ndryshuar diçka në çështjen më të përfolur kohëve të fundit, atë për kërkesën e veteranëve dhe të 43 deputetëve për të zhbërë ligjin për Gjykatën Speciale.

Ndërkohë që Kryesia e Kuvendit të Kosovës do të tentojë të mblidhet sërish këtë të hënë pas 2 dështimeve të mëhershme, njëra më 22 dhjetor të vitit të kaluar dhe tjetra pas pushimit të fundvitit, më 17 janar. Në të dyja rastet pati mungesë kuorumi, pasi nuk u paraqitën të gjithë shefat e Grupeve Parlamentare dhe kësisoj, u desh të mbyllet mbledhja ende pa filluar, raporton KTV.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Mbrëmjen e 22 dhjetorit, me kërkesë të 43 deputetëve, u mblodh Kryesia me qëllimin që të procedohet me një seancë parlamentare ku do të vihej në votim shfuqizimi i Gjykatës Speciale. Po ashtu, edhe të mërkurën e kësaj jave që po e lëmë pas, sërish u tentua që në rend të ditës të futej kjo pikë, por prapë dështoi. Faktori ndërkombëtar, në veçanti SHBA-ja, ka qenë kundër një votimi të këtillë, duke thënë se kjo do të kishte pasoja të rënda për ata që e votojnë këtë Ligj.

Ndryshimi i fundit, sipas njoftimit të ri është mbledhja do të mbahet në ora 09:00, e jo në orën 11:00, siç ishte paralajmëruar. Ende nuk dihet nëse do të shqyrtohet kërkesa e deputetëve nënshkrues për shfuqizimin e Gjykatës Speciale e as kërkesa e Organizatës së veteranëve të Luftës së UÇK-së, Shoqatës së Invalidëve të Luftës së UÇK-së dhe Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së, për Seancë të Jashtëzakonshme. Megjithatë, blloku i tretë i çështjeve është ai i “Shqyrtimit të propozimeve dhe kërkesave”. Kësaj here ky bllok është i zbrazët. Në paralajmërimin për mbledhjen e kaluar aty kanë qenë këto dy pika.

Më poshtë mund ta shihni të plotë rendin e ditës së Kryesisë:

Rendi i ditës

1. Miratimi i procesverbaleve nga mbledhjet e mëparshme,

2. Përgatitjet për seancë plenare:


I. Pikat e papërfunduara nga Seanca plenare e mbajtur më 14 dhjetor 2017:

1. Votimi i Raportit të Institucionit të Avokatit të Popullit për vitin 2016,

2. Shqyrtimi i Raportit vjetor të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës për vitin 2016,

3. Shqyrtimi i kërkesës së Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës për miratimin e taksave vjetore për vitin 2018,

4. Formimi i Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës,

5. Formimi i Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një (1) anëtar të Bordit për Ankesa.

II. Përgatitjet për seancën plenare të radhës:

1. Koha për deklarime jashtë rendit të ditës,

2. Koha për pyetje parlamentare,

3. Miratimi i procesverbalit nga seanca e mëparshme,

4. Interpelanca e Kryeministrit Ramush Haradinaj, sipas kërkesës së Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, për ta informuar Kuvendin në lidhje me gjuajtje me armë nga z. Dardan Gashi, zëvendëskryeministër dhe ministër i Diasporës dhe Investimeve Strategjike,

5. Shqyrtimi i Propozim-rezolutës për miratimin e objektivave për zhvillim të qëndrueshëm - Agjenda 2030 për Kosovën,

6. Shqyrtimi i parë i Projekt Kodit të Drejtësisë për të Mitur,

7. Shqyrtimi i parë i Projektligjit për kontrollin e brendshëm të financave publike,

8. Shqyrtimi i parë i Projektligjit për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik,

9. Shqyrtimi i parë i Projektligjit për Trajtimin e Ndërtimeve pa Leje,

10. Shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 04/L-034 për Agjencinë Kosovare të Privatizimit, i ndryshuar dhe i plotësuar me Ligjin Nr. 04/L-115 dhe me Ligjin Nr. 05/L-080,

11. Shqyrtimi i parë i Projektligjit për Azil,

12. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Standardizim,

13. Shqyrtimi i Raportit vjetor të Autoritetit Rregullator të Komunikimeve Elektronike dhe Postare për vitin 2016,

14. Shqyrtimi i Raportit vjetor të Agjencisë së Statistikave të Kosovës për vitin 2016,

15. Shqyrtimi i Strategjisë së Energjisë të Republikës së Kosovës 2017-2026,

16. Zgjedhja e një (1) kandidati për anëtar joekzekutiv të Bordit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës,

17. Zgjedhja e 5 (pesë) zëvendësve të Avokatit të Popullit,

18. Propozimi i Grupit Parlamentar të PDK-së për zëvendësimin e anëtarit në Komisionin për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit.

III. Shqyrtimi i propozimeve dhe kërkesave