Administrata Tatimore e Kosovës ka shënuar sot 18 vjetorin e themelimit dhe ky institucion përgjatë këtyre viteve ka arritur që të inkasojë mbi 5 miliardë euro të hyra nga tatimet dhe kontributet pensionale.
Në shënimin e këtij përvjetori të rëndësishëm ishte i pranishëm edhe kryeministri Ramush Haradinaj i cili kishte një mesazh për ata që i shmangen taksave të shtetit.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoAi tha se duhet të gjejnë mënyra që t’iu afrohen atyre dhe ta kuptojnë edhe ata se fitojnë nëse kalojnë në veprimtari ligjore ekonomike, edhe nëse bëhen pjesëmarrës në ekonominë e vendit, përfshirë edhe me kontributet e tyre, përmes taksave, raporton KosovaPress.
“Ne mbledhim prej tatimpaguesve, mbledhim për qëllime madhore. Këto qëllime i mbulojnë të gjitha ato aspekte të jetës që pikërisht janë me rëndësi për taksapaguesit. Nëse ai është një sipërmarrës i zoti, ne jemi përgjegjës për të krijuar, të gjitha parametrat, parakushtet që të zhvillohet suksesshëm. Qëllimi ynë nuk është pengimi, qëllimi ynë është të krijojmë pikërisht atë që është me interes për zhvillimin tonë ekonomik. Është informaliteti ekonomik, në vend. Ne e dimë që një pjesë e madhe e njerëzve tonë në ekonominë bazë nuk mbërrin që t’i plotësojë të gjitha kriteret dhe të marrë pjesë në treg në aspektin legal. Duhet të gjejmë mënyra që t’i afrohemi atyre dhe ta kuptojnë edhe ata se fitojnë nëse kalojnë në veprimtari ligjore ekonomike, edhe nëse bëhen pjesëmarrës në ekonominë tonë, përfshirë edhe me kontributet e tyre, përmes taksave. Në fund do t’iu themi kështu: Kosova ka shumë potenciale, shumë resurse, çdo hallkë e sistemit tonë e ka për detyrë me qenë absorbues i investimeve të reja duke filluar prej atyre të vendit e njëkohësit edhe të investimeve të huaja”, ka thënë kryeministri Haradinaj.
Ministri i Financave, Bedri Hamza, kërkoi që ky vit të jetë më i frytshëm sesa viteve të kaluar, ndërsa shtoi se nuk janë të vetëm në arritjen e objektivave reformuese.
“Me zhvendosjen e mbledhjes së Tatimit mbi Vlerën e Shtuar nga kufiri në brendi të vendit dhe jo më pak të rëndësishme objektivi strategjik, luftimi i ekonomisë joformale, ne jemi të vetëdijshëm që arritja e këtyre objektivave të reformës, kërkon resurse dhe angazhim nga të gjithë dhe në këtë kontekst është shumë e rëndësishme që ATK-ja të jetë e përgatitur për radhitjen e këtyre objektivave reformuese për ta ndihmuar zhvillimin e ekonomisë së vendit si dhe për ti shërbyer Qeverisë së Kosovës. Unë si ministër nuk e kam asnjë dilemë që së bashku do të arrijmë këtë reformë për të mirën e vendit tonë. Në këtë rrugë po e theksoj edhe një herë nuk jeni vetëm. Prandaj pres që viti 2018 të jetë një vit i frytshëm”, ka thënë Hamza.
Ndërsa, drejtori i ATK-së, Sakip Imeri, ka thënë se ATK-ja është e përkushtuar që përveç mbledhjes së të hyrave për buxhetin e vendit të punojë ngushtë me përfaqësuesit e bizneseve, Odat Ekonomike dhe shoqatat profesionale që të mbështesin gjitha përpjekjet për një zhvillim sa më të madh ekonomik dhe konkurrencë të ndershme të tregut.
“Administrata e ka një rol të rëndësishëm, stabilitetin financiar në buxhetin e Kosovës, për përmbushjen e objektivave të përcaktuara nga Qeveria. Përgjegjëse për implementimin e planeve operative si dhe strategjike, trajtimin e barabartë i tatimpaguesve në mënyrë që secili të paguaj hisen e tij që i takon me ligj. Prioriteti ynë është përmirësimi i shërbimeve për tatimpaguesit, transparencë, luftimi i evazionit fiskal, parandalimi dhe luftimi i ekonomisë jo formale në Kosovë, posaçërisht në pjesën e ekonomisë së hirtë ku ka përgjegjësi ligjore ATK-ja. Rezultatet në mbledhjen e të hyrave kanë shënuar ngritje të vazhdueshme. Kështu për 18 vjet janë mbledhur 5.2 miliardë euro, nga të cilat 3.8 miliardë euro tatime dhe 1.4 miliardë euro janë kontribute pensionale”, ka thënë Imeri.
Ndërsa kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, ka falënderuar ATK-në për punën dhe bashkëpunimin që sipas tij falë bashkëpunimit bizneset deklarohen vullnetarisht për të kryer obligimet ndaj shtetit.