Arbëri

Isa Mustafa udhëton nesër për shërim në Gjermani

Ajo që ka nisur si grip për ish-kryeministrin Isa Mustafa, njëherësh kryetar i LDK-së, ka dalë të jetë më serioze për shëndetin e tij.

Ka disa ditë që ish-kryeministri Mustafa është i shtrirë në një spital privat për t’u kuruar nga gripi sezonal, por që kishte prekur me gjasë më rëndë shëndetin e tij.

Portali Koha.net duke u thirrur në burime të sigurta nga njerëz të afërt të Mustafës ka marrë vesh se nesër ai do të udhëtojë për Gjermani, për të vazhduar mjekimin.

“Ajo që mund të them është se kryetari nuk ka probleme me zemër. Nuk mund të them asgjë më shumë, vetëm se nesër udhëton për Gjermani”, ka thënë shkurt ky burim.

Lajmet e para për rëndimin e gjendjes shëndetësore të kryetarit të LDK-së kishin dalë qysh më 10 janar.

LDK-ja kishte lëshuar po atë ditë një njoftim për media, që siç thuhej me qëllim të informimit të opinionit publik, “kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, akademik Isa Mustafa, këto ditë ka qenë i prekur nga një grip sezonal, si pasojë e të cilit është detyruar që të trajtohet në institucionet shëndetësore”.

“Gjendja e kryetarit Mustafa është stabile e në përmirësim të vazhdueshëm, dhe shumë shpejt pritet rikuperimi i plotë e rikthimi në kryerjen e detyrave akademike dhe politike. Falënderojmë mediet dhe opinionin publik për interesimin”, thuhej në njoftim.

Në Gjermani, Mustafa kishte kërkuar ndihmë mjekësore edhe më parë, për problemet e tij në zemër.