Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Presidenca: Këshilli organizativ për 10 vjetorin e Pavarësisë diskuton nesër për logon

Logoja zyrtare, të cilën presidenti aktual i vendit, Hashim Thaçi, e ka prezantuar në prag të dhjetëvjetorit të Pavarësisë së Kosovës, po konsiderohet të jetë e kopjuar.

Kjo logo, me të cilën identifikohet dekada e parë e shtetësisë së vendit, del të jetë shumë e ngjashme me shenjën e kompanisë turistike gjermane “Schauinsland Reisen”. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

E krijuar nga dy dizajnerët grafikë Arbër Racaj dhe Egzon Çaka, logoja ditëve të fundit është kritikuar rrufeshëm për formën e saj.

Pavarësisht kritikave, fotografia me logon, e konsideruar si e kopjuar, vazhdon të jetë e stampuar në faqen zyrtare të Presidentit Thaçi në facebook.

“Ditën e parë të këtij viti të ri, Dekadën e Republikës, po e nisim me logon zyrtare të dhjetëvjetorit të shtetësisë sonë. Shteti ynë, për të cilin dhamë shumë, po i bën 10 vjet pavarësi. Ne po i bëjmë 10 vjet përpjekje që Republika e Kosovës të zërë vendin e merituar në mesin e kombeve të lira të botës. Bashkë mund ta forcojmë edhe më shumë identitetin dhe subjektivitetin e shtetit tonë. #Kosova10”, ka shkruar Thaçi në facebook.

Adil Behramaj, këshilltari politik i Presidentit Thaçi, ka bërë të ditur për emisionin “Express” të KTV-së, se këtë të martë do të takohet Këshilli organizativ për shënimin e dhjetëvjetorit të Pavarësisë së vendit, të cilët do të diskutojnë për çështjen e logos.

Ndërkaq, ditë më parë, Behramaj kishte deklaruar: “Ne i falënderojmë të gjithë për vlerësimet e tyre, për komentet e tyre, si kritikët e logos, ashtu edhe ata që e kanë pëlqyer, të cilat natyrisht se kanë rëndësi për ne. Interpretimet janë të lira, nuk ka nevojë ta reduktojë askush imagjinatën vetëm në kuptimin që kanë dashur t’i japin krijuesit, sepse secili mund ta shohë logon edhe prej pikëpamjes së vet dhe mund të ketë edhe gjetje të tjera rreth saj”, kishte deklaruar ditë më parë Behramaj.

Kritikave dhe pretendimeve për logon e kopjuar u janë përgjigjur dy dizajnerët Arbër Racaj dhe Egzon Çaka, të cilët janë fitues të konkursit publik për hartimin e logos së 10 vjetorit të pavarësisë së Kosovës.

Ata, përmes një reagimi publik, theksuan se padrejtësisht janë sulmuar nga konkurrentët e tyre se gjoja logoja e krijuar nga ta ishte plagjiaturë.

“Përkundër ngjashmërisë në shprehjen vizuale, asnjë element grafik, qasje apo edhe mënyrë e ekzekutimit nuk është e njëjtë në mes këtyre dy logove. Forma e hapjes së duarve, ngjashmëria e vetme rastësore, e cila në rastin tonë ndërlidhet me 10 gishtat – 10 vjetorin e shtetësisë, nuk është shpikur as në Kosovë, as në Gjermani dhe as nuk është e patentuar nga askush dhe vetë forma abstrakte e gishtave shpjegon që ne kemi dashur që të përçojmë sa më shumë mesazhin festiv të këtij viti jubilar.

Si krijues të kësaj logoje, ne e ndjejmë obligim moral dhe profesional, që t’ua dëshmojmë të gjithë qytetarëve autenticitetin e punës sonë”, shkruan në reagimin e dizajnerëve Racaj dhe Çaka.

Avokati Naser Gjinovci, deklaroi se shteti i Kosovës nuk mund të ketë pasoja nga kjo çështje për shkak se simbolika zyrtare e dhjetë vjetorit të Pavarësisë është logo e përkohshme, që përdoret vetëm një herë në raste të caktuara.

Kosova, këtë vit, do të shënojë dekadën e parë të Pavarësisë, ndërkohë Zyra e Presidentit, së bashku me anëtarë të qeverisë, kanë marrë vendim se që nga data 8 e deri më 17 shkurt, brenda dhjetë ditësh, do të shënohet kjo datë e veçantë përmes disa aktiviteteve.