Lëvizja Vetëvendosje së fundmi u ballafaqua me largimin e disa funksionarëve brenda partisë, duke dhënë dorëheqje të njëpasnjëshme.
Nga funksionet e tyre brenda partisë, tashmë janë larguar Visar Ymeri, Dardan Sejdiu, Aida Dërguti, Shqipe Pantina e Zgjim Hyseni.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoPër këtë situatë jo të zakonshme në Vetëvendosje, të çuditshme i konsideron edhe deputetja Albulena Haxhiu, e cila ka thënë se do të kthehet në Kryesi.
Ajo në një prononcim për Koha.net, tha se dorëheqjet që i dhanë nga Kryesia, këta deputetë i kanë dhënë para se të bëheshin publike letrat nëpër medie.
“Është e vërtetë që Lëvizja Vetëvendosje po kalon në një situatë jo të zakonshme dhe po ashtu me të drejtë kjo situatë ka shqetësuar të gjithë përkrahësit tanë. Po ashtu jemi shqetësuar edhe ne por thënë të drejtën për mua janë të çuditshme disa nga dorëheqjet. Mendoj që ata që kanë dhënë dorëheqje, para se të bënin publike letrat në medie, është dashur të vijnë e të diskutojnë në organet e Lëvizjes Vetëvendosje, t'i shprehin gjitha shqetësimet e tyre. Askush asnjëherë s'i ka ndaluar debatet dhe s’e ka këtë të drejtë. Unë ende s’e di se cila është pika programore që na dallon sepse s'ka të tillë”, tha ajo.
Ajo shtoi se në organet e Lëvizjes, Kryesi e Këshill, me pikat e me qendrat, gjithmonë është zhvilluar debat për të gjitha temat, madje se kanë qenë debate tejet të vlefshme ku ka pasur mospajtime e mendime ndryshe.
“Këto që tani po i shoh në letrat e deputetëve që janë dorëhequr nga organet, unë kurrë më parë si kam dëgjuar”, tha ajo.
Ditë më parë, pas një vale dorëheqjesh, Haxhiu tha se vetëm kur ata të japin dorëheqje nga posti i deputetit, ajo do t’i marrë seriozisht.
“Vetëm kur ndonjëri jep dorëheqje nga pozita e deputetit, betohem se do të filloj ta marr seriozisht! Më falni por këto letrat copy paste nuk mundem as t'i lexoj! Janë fallse dhe me porosi e tendencë!”, ka shkruar ajo.
Haxhiu për Koha.net ka folur për dorëheqjet e deputetëve të fundit nga disa funksione brenda partisë, dhe ka përmendur edhe dorëheqjen që e ka dhënë vetë ajo, por që nuk e ka bërë publike, pasi siç tha ajo, nuk ka dashur ta dëmtojë partinë.
“Në të kaluarën kemi pasur deputetë që kanë lënë Lëvizjen për t'ju bashkuar ndonjë subjekti tjetër. Kanë qenë pikërisht disa nga këta që janë dorëhequr të cilët kanë thënë "votat i kanë marrë në emër të Lëvizjes" dhe unë pajtohem me këtë, edhe unë por edhe secili prej tyre përkrahjen nga qytetarët e kemi marrë sepse kemi garuar me programin që Lëvizja përfaqëson, pra s'kemi kandiduar si kandidatë të pavarur”, tha ajo.
“Në shtatorin e vitit të kaluar, unë kam dhënë dorëheqje nga kryesia e Lëvizjes me arsyetimin që kryesia ka dështuar të zgjedhë problemin e brendshëm por jo nga Këshilli që jam anëtare me automatizëm sepse jam deputete. Dorëheqjen time (ndonëse ka ndodhur që 4 muaj) asnjëherë se kam bërë publike në medie sepse qëllimi im s'ka qenë dëmtimi i Lëvizjes por reflektimi karshi një problemi që është dashur ta adresojmë qysh në fillet e tij”, shtoi Haxhiu për Koha.net.
Ka përmendur edhe faktin se kryesia e Vetëvendosjes në mbledhjen e fundit i ka ftuar të gjithë ata që dhanë dorëheqje për t’iu kthyer funksioneve të tyre.
“Para dy ditësh është mbajtur mbledhja e kryesisë. Në atë mbledhje është vendosur që të ftohen të gjithë të dorëhequrit për t'i thënë shqetësimet e tyre aty dhe për ta rishqyrtuar dorëheqjen. Mendoj që ky vendim i kryesisë është i drejtë. Sidomos në rrethanat e tilla, sfidat nuk rregullohen duke hequr dorë por duke u angazhuar drejtpërdrejtë”, tha ajo.
Haxhiu për Koha.net ka thënë se në mbledhjen e ardhshme të kryesisë ajo do të jetë e pranishme pasi vendimin e saj ajo e ka shqyrtuar, e këtë ka kërkuar ta bëjnë edhe të tjerët që dhanë dorëheqje.
“Unë sot jam më e qartë se kurrë mbi atë çka ka ndodhur e çfarë po ndodh në Lëvizje, prandaj e kam rishqyrtuar vendimin tim dhe mendoj që edhe anëtarët tjerë që mund të kenë shqetësime, duhet ta shqyrtojnë vendimin e tyre pra unë do të jem në mbledhjen e ardhshme të kryesisë. Jashtë demokracisë së brendshme dhe organeve të zgjedhura vendimmarrëse nuk mund të ketë asnjë lloj zgjidhje për cilëndo sfidë. Vetëm në këtë mënyrë Lëvizja rritet e fuqizohet”, tha ajo.
Por se a dhanë dorëheqje këta deputetë për shkak të kandidimit të Albin Kurtit si kryetar i ardhshëm i Lëvizjes, Hashiu ka thënë se nëse është bërë për këtë arsye ajo ndjen keqardhje për ta.
“Unë ndjej keqardhje për ata që dalin nga Lëvizja për shkak se ka kandiduar Albini dhe momenti i reflektimit tim ka qenë pikërisht momenti kur më është thënë që është kusht kandidimi i Albinit. Demokracia nuk njeh kushtëzime, nuk duhet lejojmë që të kushtëzohen aktivistët e Lëvizjes, cilido çoftë ai. Demokracia nënkupton shprehje të lirë të vullnetit dhe njëri prej subjekteve me demokraci më të zhvilluar është Lëvizja dhe për këtë kemi kontribuar të gjithë. Edhe statuti jonë e lejon lobimin kundër apo për ndonjë kandidat por jo kushtëzimin”, tha Haxhiu.
As Albulena Haxhiu nuk ka informacione se kush tjetër do të kandidojë për kryetar të ardhshëm, e deri tani dihet se është vetëm Albin Kurti.
“Deri tani zyrtarisht ka kandiduar vetëm deputeti Albin Kurti. Mendoj që të gjithë ata që kanë vizion dhe shprehin interesin për të qenë kryetar, duhet të kandidojnë madje i inkurajoj. Sa më shumë aq më mirë për demokracinë tonë të brendshme”, tha Haxhiu për fund.