Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Në Qendrën e re të Paraburgimit në Prishtinë e hapur sot aparatet për fikjen e zjarrit janë pa afat

Deri 300 të burgosur që do t’u jepet rrugë për në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë do të kenë kushte shumë të mira. Kjo qendër u ndërtua në një hapësirë që përfshin 10,500 metra katrorë nga Qeveria e Kosovës dhe kushtoi jo më pak se 6.6 milionë euro.

“Kontrata është nënshkruar, më 18.11.2013 në vlerë 5,845,973.96 milionë euro, dhe aneks kontrata prej 493,893.18 euro, që në përgjithësi i bie se qendra ka kushtuar 6,339,866.00 milionë euro, pa infrastrukturë”, thuhet nga MAPL në përgjigje për Ndërtimi.info, teksa nëse përfshihet edhe infrastruktura sipas MAPL-së, del vlera 6.6 milionë euro.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

E rrethuar anë e përtej nga një mur masiv prej betoni, i lartë pothuajse katër metra, qendra shtrihen në disa ndërtesa të vogla dhe një të madhe në mes. Me asnjë dritare pa grila, dyer të hekurta përbrenda, lavaman e guacë metali brenda dhomës, e sistem sigurie të lartë, kështu duket kjo ndërtesë, raporton Ndertimi.info.

Mirëpo në rastin më të keq nëse në këtë ndërtesë do të bie zjarri, gjendja tash për tash nuk është e mirë. Ekipi i Ndërtimi.info gjatë vizitës brenda objektit bashkë me të gjithë pjesëmarrësit në hapjen e kësaj qendre, ka vërejtur se bombolat për shuarje të zjarrit kanë afat verifikimi të skaduar.

 

Në letërverifikimin dhe garancionin që u gjendet lidhur në bombolë, shkruhej se lloji i aparatit është P9, teksa kontrolli ishte bërë më 25.08.2016. Kontrolli është kryer nga kompania “Ablkos”. E më poshtë shkruan me shkronja të bardha në prapavijë të kuqe se “GARANCIONI VLEN GJASHTË MUAJ”.

Nëse bëjmë një llogaritje të thjeshtë, atëherë i bie se sot më 5 Janar bëhen 1 vit, 4 muaj e 11 ditë prej kur nuk është kontrolluar kjo pajisje.

Image

Për kontrollin që duhet të ju bëhet pajisjeve, saktëson edhe Ligji për Mbrojtje nga Zjarri, i cili thotë në Nenin 17 [Dëshmia për gjendjen e rregullt të pajisjeve], në pikën 2 se “Aparatet bartëse dhe lëvizëse për shuarjen e zjarreve duhet të kontrollohen çdo gjashtë (6) muaj”.

Ndërtimi.info është interesuar për të parë se sa kushton një aparat i tillë dhe sa kushton një kontrollim. Pasi ka kontaktuar disa kompani, edhe kompaninë e lartëcekur, ka marrë vesh se një aparat i tillë P9 kushton 45 euro dhe kontrolli njëherë në gjashtë muaj kushton 5 euro.

Brenda këtyre gjashtë muajve për çdo gjë që ndodh me aparatin, jep përgjegjësi kompania që ka kryer kontrollin, nëse kalon afati i verifikimit dhe kontrollimit atëherë kompania nuk merr përgjegjësi.

Në anën tjetër Ministria e Administratës Publike, që është përgjegjëse për ndërtimin e kësaj ndërtese, thotë se ndërtimi i kësaj qendre ka përfunduar më nëntor 2016, por mungesa e lidhjes së kanalizimit në rrjetin e qytetit dhe impiantit për ujërat e zeza e ka shtyrë deri tash përurimin dhe hapjen. Si rrjedhojë, atëherë edhe janë vendosur bombolat për shuarje të zjarrit.

Sa i përket pyetjes sonë, MAPL thotë se aparatet kanë afat 1-vjeçar që nuk thuhet në dokumentet valide të aparateve dhe as ligjit, teksa do të ndërrohen me të reja.

“Bombolat kundër zjarrit, që kanë afat njëvjeçar, në këtë qendër janë vendosur para një viti, dhe ato do të zëvendësohen me bombola të reja”, u tha nga Ministria e Administratës Publike.

Ndërtimi i kësaj qendre ishte paraparë më 2013 edhe kur kishte filluar puna për ndërtim, me 781 ditë kalendarike, teksa puna ka përfunduar për 722 ditë pune efektive, rrjedhimisht me devijim afati.