Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Ymeri: Propaganduesit vazhdimisht janë thirrur në emër të Albin Kurtit

Visar Ymeri, kryetari i deritashëm i Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se dorëheqja e tij ka ardhur si pasojë e problemeve të shfaqura, kryesisht në vitin e fundit brenda partisë.

Ishte Koha.net që raportoi e para për dorëheqjen e tij, gjë e cila u konfirmua nga vetë Ymeri.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Ymeri, në një konferencë për media, tha se fushata e fundit e shpifjeve, linçimeve e etiketimeve, si dhe mos-përfillja ndaj pozitës së tij kohës së fundit, e kanë detyruar të japë dorëheqje.

Thotë se fushatat e linçimeve prapa kanë pasur emrin e Albin Kurtit.

“Ka një kohë të gjatë, më shumë se një vit, që jemi duke u përballur me një problem me përmasa në rritje, të cilin as nuk e dëshiroj e as nuk e përkrahi. Për 11 vjet rresht jemi munduar që bashkërisht të ndërtojmë një organizatë politike që është krejtësisht e ndryshme me të tjerat. Në thelb i kemi pasur tri shtylla: Besnikëria ndaj konceptit tonë politik, besimi i ndërsjellë mes aktivistëve si dhe vetëmohimi apo heqja dorë nga fokusi te uni e në funksion të së mirës kolektive brenda organizatës sonë. Kësisoj, kemi arritur këtu ku jemi, të shihemi si të pakourrptueshëm, të sinqertë e të besueshëm. Fatkeqësisht, ky vit i fundit ka filluar t’i rrënojë këto themele. Jemi përballur me një fushatë sistematike të shpifjeve, linçimeve e etiketimeve nga më të ndryshmet. Njerëzit janë quajtur abuzues e bashkëpunëtorë shërbimesh. Njerëzit që kanë shpërndarë një propagandë të tillë vazhdimisht janë thirrur në emrin e Albin Kurtit. Disa herë jemi marrë vesh që këto gjëra të ndalohen por kjo nuk ka ndodhur as sot”, ka thënë ai, raporton Koha.net.

“Këtë metodë nuk e pëlqej, nuk e mbështes, sepse kjo e dëmton shumë organizatën tonë, pra metodën e eliminimit politik. Kjo mënyrë e funksionimit të organizatës është tejet e dëmshme dhe e rrezikshme dhe si e tillë nuk na duhet sepse ajo e shkatërron besimin e ndërsjellë mes aktivistëve të cilën e kemi kultivuar për një kohë të gjatë. Pa kohezion, Lëvizja nuk është e bashkuar. Kur Lëvizja nuk është e bashkuar, nuk është e fortë, e kur kjo nuk është e fortë, humb e tërë Kosova”, theksoi ai.

“Nëse problemin nuk e zgjidhim drejtë, do të na instalohet si metodë e funsknionimit organizativ tonë. Kjo do të na dëmtonte shumë. Organizata jonë duhet të jetë demokratike, e hapur, gjithëpërfshirëse, e qartë konceptualisht dhe ideologjikisht, me udhëheqje të ndershme, me vendimmarrje të hapur e me mision të qartë për të ardhmen”, u shpreh kryetari i deritanishëm i Vetëvendosjes.

“Ne të gjithë i jemi besnik idesë, e jo njeriut. Një organizatë që ka besnikëri ndaj njeriut e jo idesë, devijimin e ka prapa derës. Lëvizja nuk ka devijuar kurrë sepse nuk ka qenë organizatë e tillë dhe kështu ajo duhet të mbetet”, theksoi Ymeri.

Ai tha se kohës së fundit është shpërfillur plotësisht si kryetar i Vetëvendosjes në vendimet e organeve të Lëvizjes që, sipas tij, nuk janë përkrahur nga një pjesë e aktivistëve, dhe si rrjedhojë ka marrë vendimin për dorëheqje.

“Shpresoj që kjo dorëheqje imja do të kuptohet si alarm për gjendjen në të cilën kemi ardhur, dhe do të kuptohet drejt nga të gjithë, e veçanërisht nga ata që kanë qenë të përfshirë në këtë fushatë të linçimeve e përdhosjes ndaj njerëzve të caktuar, që të heqin dorë nga kjo metodë që t’i thërrasin mendjes e të mos e shkatërrojnë një organizim të tërë për teke personale”, tha ai në fund, ndërsa i falënderoi të gjithë për bashkëpunimin.