Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

11 milionë euro për dy palë zgjedhje e ndryshim drastik të hartës politike

2017-ta ishte vit i zgjedhjeve në Kosovë. Rrëzimi i qeverisë me mocion mosbesimi më 10 maj, shtyu vendin në zgjedhje të parakohshme parlamentare më 11 qershor.

PDK-ja në krye me Kadri Veselin, që ishte pjesë e koalicionit qeverisës me LDK-në, bashkëpunoi me partitë opozitare AAK-në, Nismën dhe Vetëvendosjen, për të rrëzuar qeverinë që udhëhiqej nga Isa Mustafa.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Viti zgjedhor vazhdoi me zgjedhjet lokale të 22 tetorit dhe balotazhi i 19 nëntorit në 19 komuna.

Në zgjedhjet parlamentare, fitues i zgjedhjeve doli koalicioni PDK-AAK-Nisma, pas koalicionit parazgjedhor që kishin arritur, i quajtur nga tashmë partitë opozitare si “koalicion i territ”.

Në këto zgjedhje, ky koalicion arriti të marrë 33.07 për qind të votave.

E vetme në garë, Lëvizja Vetëvendosje shënoi rritjen më të madhe duke dyfishuar votat.

Nga 13 për qind sa kishte fituar më 2014, partia e udhëhequr në këto zgjedhje nga kandidati i saj për kryeministër, Albin Kurti, ka fituar rreth 27 për qind të votave.

Ndërsa, koalicioni parazgjedhor, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca Kosova e Re, së bashku me Alternativën morën 25.53 për qind të votave, duke u renditur të tretët në zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Pavarësisht që grumbulluan një numër të madh partish rreth vetës, krahu i luftës nuk ia doli ta bëjë qeverinë pa ndihmën e Pacollit.

Marrëveshja e koalicionit për qeverinë e re u nënshkrua me kreun e AKR-së në vilën luksoze të tij në Hajvali.

nënshkrimin e këtij koalicioni, AKR-ja e Behgjet Pacollit arriti të marrë shumë hise në qeverinë e udhëhequr nga Ramush Haradinaj.

Viti i zgjedhjeve për Kosovën vazhdoi me ato lokalet, më 22 tetor që po ashtu sollën zhvillime interesante.

Qytetarët me votën e tyre vendosën që gjysmën e komunave t’i dërgojnë në balotazh. Ndërsa te komunat që u fituan pa balotazh, fituese më e madhe doli Lista Serbe me 9 komuna. Te partitë shqiptare pa balotazh, më së shumti komuna fituan LDK-ja dhe AAK-ja.

Dikur partia e parë, Partia Demokratike e Kosovës e ka humbur këtë epitet.

Duke e humbur edhe komunën e Skenderajt që e kishte bastion, PDK-ja shënoi rënie të madhe, derisa nga komunat e mëdha qeverisë vetëm me Ferizajn.

Dy palë zgjedhje plus balotazhi në mbi gjysmën e Kosovës, u konsiderua barrë e rëndë për buxhetin e shtetit.

Mbajtja e zgjedhjeve të përgjithshme më 11 qershor, i ka kushtuar buxhetit të shtetit 4 milionë e 944 mijë e 900 euro.

Për zgjedhjet lokale të 22 tetorit janë ndarë nga buxheti i shtetit 6.1 milionë euro.

Në total, dy palë zgjedhjet i kanë kushtuar buxhetit të shtetit rreth 11 milionë euro.