Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Sindikalistët thonë se asnjë nga premtimet elektorale nuk janë realizuar

Një mal premtimesh ua dhanë sindikatave vendore përfaqësuesit e koalicionit PAN gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit.

Realizimi i pikave të memorandumeve të nënshkruara ndërmjet palëve shihet me skepticizëm nga përfaqësues të sindikatave, të cilët nuk janë ftuar ende në takim nga kryeministri Haradinaj, raporton KTV.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Kryetari i Sindikatës së Shëndetësisë, Blerim Syla, thotë se njëra ndër pikat më të rëndësishme të memorandumit ishte rritja e pagave për punëtorët shëndetësorë, që nuk ka ndodhur tash e 3 vjet, si dhe fillimi i pagesës së rrezikshmërisë në punë që, sipas memorandumit, do të bëhej që në 3 muajt e parë të formimit të qeverisë së re.

Syla thotë se kanë pritur që qeveria t’i bëjë 100 ditë dhe të kalojnë proceset zgjedhore për të kërkuar përmbushjen e këtij premtimi.

Ankesa ka edhe Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës.

Rrahman Jasharaj thotë se pjesë e marrëveshjes ishte edhe përfshirja në debat e sindikalistëve kur të përgatitet projektligji për buxhetin.

Por as kjo nuk ka ndodhur.

Sipas përfaqësuesve të të dyja sindikatave, proklamimi se mund të ketë 4% rritje të pagave, sipas rritjes ekonomike në vend, nuk do të jetë i pranueshëm për ta, pasi premtimet e bëra e kanë tejkaluar këtë shifër dhe premtimet duhen mbajtur.

Por sa kanë fuqi juridike memorandumet e tilla të nënshkruara në kohë fushate?

KTV-ja ka dërguar pyetje edhe në zyrën e kryeministrit të vendit se a do të realizohen të gjitha pikat e memorandumeve të nënshkruara me sindikatat, por nuk ka marrë përgjigje.