Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kurti nga burgu siguron nënshkrimet për kandidat për kryetar të VV-së

E deleguara e Albin Kurtit, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli ka njoftuar se së bashku me të deleguarën tjetër Albulena Haxhiu, kanë siguruar nënshkrimet për kandidaturën e Kurtit për kryetar të kësaj partie.

Pacolli në një postim në Facebook, ka njoftuar se 3/5 e anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm kanë nënshkruar për kandidimin e Kurtit për kryetar të VV-së.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Bashkë me deputeten Albulena Haxhiu, sot dorëzuam për verifikim pranë Komisionit të Përgjithshëm Zgjedhor (KZP) të Lëvizjes VETËVENDOSJE! nënshkrimet e anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm, organit më të lartë vendimmarrës, në mbështetje të zyrtarizimit të kandidaturës së Albin Kurtit për kryetar të Lëvizjes VETËVENDOSJE!”, ka njoftuar Pacolli.

“Sipas Rregulloreve në fuqi, kandidatura për kryetar zyrtarizohet me dorëzimin e nënshkrimeve të 1/5 së anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes. Në mbështetje të kandidaturës së Albin Kurtit e kanë dhënë nënshkrimin e tyre 3/5 e anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm”, ka shtuar deputetja e VV-së.

Sipas Pacollit, ka pasur ende anëtarë të KP-së së VV-së të cilët donin të nënshkruanin, por të deleguarat për të mbledhur nënshkrimet e kanë vlerësuar se është përmbushur kriteri për kandidaturë.

“Ne e dimë që plot anëtarë të tjerë të Këshillit të Përgjithshëm do të kishin nënshkruar në mbështetje të kësaj kandidature, por vlerësuam se tani që është përmbushur dhe tejkaluar kriteri për nënshkrime, nuk ka më nevojë të mblidhen edhe nënshkrime të tjera dhe dorëzuam sot këto që tashmë ishin grumbulluar”, ka shkruar Pacolli, transmeton Koha.net.

“Për më tepër, menduam gjithashtu të mbetet e hapur mundësia që dikush tjetër që planifikon të kandidojë duke grumbulluar nënshkrime nga anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm të mund ta shfrytëzojë këtë alternativë. Në fund, zgjedhjet për kryetar të Lëvizjes VETËVENDOSJE! do të zhvillohen sipas parimit një anëtar – një votë. Me besimin e thellë te vlerat e demokracisë tonë të brendshme, bashkë është e mundshme”.

Më 24 dhjetor nga Qendra e Paraburgimit në Lipjan, Albin Kurti shpalli kandidaturën e tij për kryetar të Lëvizjes Vetëvendosje. I ka lutur dy koleget e tij deputete, Albulena Haxhiu e Fitore Pacolli, që të mbledhin për të nënshkrimet e nevojshme për t’u rikthyer në krye të partisë, aktualisht më e madhja në vend.