Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Lojë ping-pongu me pikën kufitare Jazhincë-Glloboçicë

Ministria e Financave të Maqedonisë ka dy vite që nuk ka reflektuar në kërkesën e Drejtorisë së Doganave për kalim të lirë të mallrave në pikën kufitare Jazhincë-Glloboçicë.

Për këtë arsye, bizneset e Fushës së Pollogut që eksportojnë mall në Kosovë duhet të bëjnë 100 kilometra rrugë për të arritur në terminalin doganorë të Bllacës. Zëvendës drejtori i Doganave të Maqedonisë, Lavdrim Veliu thotë se tranzitimi i lirë i mallrave për Kosovë dhe anasjelltas, mbetet peng i Ministrisë së Financave e cila duhet ta shqyrtojë kërkesën që e kanë pranuar dy vite më herët, dhe me pas të njëjtën ta kalojë në Qeveri.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Ne si Drejtori e Doganave kemi marrë hapa dhe e kemi analizuar situatën dhe deri në Ministri të Financave në vitin 2015 në muajin e katërt, kemi dorëzuar propozim ku kërkojmë bashkimin e pikave kufitare mes Maqedonisë dhe Kosovës, konkretisht në pikën kufitare Bllacë dhe Jazhincë. Në Jazhincë kemi paraparë edhe lejimin e tranzitimit të mallrave, e cila është procedurë e lejueshme doganore dhe në këtë formë mendojmë ti ndihmojmë biznesit të Pollogut – tha Lavdrim Veliu, zv/drejtor i doganave.

Ministria e Financave ka gati dy javë që refuzon të përgjigjet në pyetjet e televizionit Alsat se pse ende nuk është shqyrtuar kërkesa e Drejtorisë së Doganave që është bërë në prill të vitit 2015.

Drejtoria e Doganave ka dy vite që pret përgjigje nga Ministria e Financave nëse do ta lejohet tranzitimi i mallit në pikën kufitare Jazhincë-Glloboqicë. Mirëpo edhe televizioni Alsat ka dy javë që pret përgjigje nga Ministria e Financave, nëse e ka marr në shqyrtim apo jo kërkesën e Drejtorisë së Doganave për kalim të lirë apo tranzitim të mallit në pikën kufitare Jazhincë-Glloboqicë, për bizneset që gravitojnë në Fushën e Pollogut të cilët eksportojnë mall në Kosovë.

Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-perendimore gjithashtu kërkon që sa më shpejt të jetësohet lejimi I lirë I kalimit të mallrave në këtë pikë kufitare ose të hapet një terminal doganorë I cili do e shkurtonte rrugën për eksportuesit e Fushës së Pollogut. Institucionet kosovare shprehin gatishmëri që ta jetësojnë idenë për pikë të re zhdoganimi.

Para 1 viti në Shkup u takuan delegacione qeveritare të Maqedonisë dhe Kosovës, ku biseduan për hapjen e kësaj pike zhdoganimi, duke theksuar se kjo do të kishte ndikim pozitiv në ekonominë e të dy shteteve. Sipas të dhënave zyrtare, 140 mijë kamionë përplot me mall, kalojnë çdo vit kufirin Maqedoni-Kosovë. Ndërsa sipas të dhënave nga enti statistikor i Kosovës, Maqedonia është eksportuesi i dytë më i madh nga vendet e CEFTA-s në Kosovë, ku shet mall në vlerë prej rreth 300 milionë euro në vit.