Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka dalë në publik me një fletërrufe kundër mediave të Grupit Koha, që nuk i shkon fare bartësit të një institucioni që do të duhej të ndiqte keqbërësit. E kundërta – një sajesë e kërcënim i tillë u shkon më shumë atyre që një prokuror duhet të ndjekë.
Në cak të këtij reagimi-kërcënimi të Lumezit janë mediat e Grupit Koha, KTV dhe Koha Ditore, për shkak se publikuan përgjimet e bisedave mes krerëve të PDK-së, të identifikuar tashmë në diskursin publik si klani “Pronto”, teksa diskutonin takimin me Lumezin dhe mundësinë e përfshirjes së tij në radhët e PDK-së, madje edhe si kandidat për të parin e Prishtinës.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoBisedat mes Grabovcit, Veselit e Beqajt, të publikuara të hënën mbrëma në KTV, dhe të martën në “Koha Ditore”, shihet qartë se e kanë shqetësuar Lumezin deri në masën sa ai hapur kërcënon, shpif dhe fabrikon në lidhje me mediat e Grupit Koha, madje duke shkuar aq larg sa të na gjykojë e dënojë, njëkohësisht, si “bashkëpunëtor” të “grupeve dhe strukturave kriminale”.
Se cilat qenkan ato struktura kriminale, Lumezi nuk e thotë. Sikur në rastin e “dosjes Lumezi”, kryeprokurori pret që publiku t’i besojë fjalës së tij, përballë raporteve mediale të mbështetura me fakte.
Dhe kërcënon me hetime e shpifje.
Tutje, kreu i Prokurorisë së Shtetit merr guximin të merret edhe me politikën redaktuese, ndërsa për të zhvendosur vëmendjen nga thelbi i problemit – që është raporti i tij me njerëz të politikës që njëherësh janë edhe nën hetime e dyshime të ndryshme - shtron edhe pyetje retorike, si kjo “si arritën këto përgjime në duar të këtij mediumi dhe përse vetëm pak ditë pas disfatës së turpshme që pësuan të njëjtit me rastin e trilluar ‘dosja Lumezi’”.
Që ta sqarojmë këtë - jo për Lumezin, sepse ai e di këtë shumë mirë, por për publikun e gjerë – janë dy apo tri mediume të tjera që i kanë pasur në dispozicion përgjimet në fjalë dhe kanë vendosur të mos i publikojnë - mbase për shkak të afrisë me kryeprokurorin, apo ndoshta nga frika prej fletërrufeve të tij. Mediat e Grupit Koha nuk e kanë atë problem në raport me askënd, andaj dhe nuk kemi hezituar dhe nuk do të hezitojmë të publikojmë çdo gjë që na bie në duar, që dëshmohet se është e vërtetë dhe që është në interesin e publikut ta dijë.
Kjo duket të jetë edhe arsyeja pse Lumezi, në reagimin e tij, bën një sulm të papranueshëm edhe ndaj politikës redaktuese të Kohës… sepse do të kishte dëshirë ta kontrollonte.
Mbase për këtë shkak Lumezi edhe nuk përgjigjet në pyetjet e gazetarëve të Grupit Koha –të cilët në asnjë rast nuk kanë raportuar në lidhje me të pa e pyetur dhe pa pritur për koment, në disa raste edhe me javë e muaj. Por në vend të përgjigjes dhe ballafaqimit me argumente, kryeprokurori zgjedh media të tjera për të lansuar fletërrufetë e veta shpifëse. Media që nuk ia prishin qejfin apo ia kanë frikën.
Është për keqardhje që një Kryeprokuror merr rolin e gjyqtarit, duke e ndarë mendjen se ai vetë është i pafajshëm, ndërsa mediat duhet të ulen në bankën e të akuzuarve, pa marrë parasysh faktet.
Por derisa nuk do zmbrapsemi nga puna jonë, madje edhe nën presionet e kërcënimet prokuroriale, për Kryeprokurorin kemi vetëm një paralajmërim tonin: Kujdes me shpifjet, se edhe për to shkohet në gjyq. Dhe rruga prej gjyqit para publikut deri në gjyq para gjykatësit, në raste të tilla nuk është edhe shumë e gjatë.
Në ndërkohë, ne do bëjmë punën tonë. E Kryeprokurori të vazhdojë me fletërrufe kundër mediave në vend të aktakuzave kundër kriminelëve.
Grupi Koha