Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Sejdiu: Votat me kusht s’do ta rrënojnë fitoren e VV-së në Prishtinë e Prizren

Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës e ka cilësuar ankesën e Vetëvendosjes si të bazuar, duke e rrëzuar kështu vendimin e PZAP-së për rinumërimin e votave të qytetarëve të Prishtinës dhe Prizrenit.

Në konferencën e mbajtur nga Lëvizja Vetëvendosje lidhur me këtë, kryetari Visar Ymeri theksoi se me këtë vendim të Gjykatës, u pamundësua zvarritja e mëtutjeshme e këtij procesi zgjedhor, dhe u dëshmua se Lëvizja Vetëvendosje pati të drejtë në ankesën e saj.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Kjo është një fitore e madhe sepse një vendim plotësisht i pabazuar e i jashtëligjshëm, absurd dhe arbitrar, u hodh poshtë sot dhe u pamundësua kjo ndërhyrje institucionale në vullnetin e lirë të qytetarëve, në procesin më demokratik zgjedhor. Kjo erdhi edhe për shkak të trysnisë së qytetarëve dhe të opinionit publik. Kjo dëshmon se mund ta mbrojmë të drejtën tonë, kur të gjithë bëhemi bashkë”, tha ndër të tjera Ymeri.

Ndërkaq, nënkryetari Vetëvendosjes Dardan Sejdiu tha se tani KQZ duhet të veprojë, që të përmbyllet sa më parë ky proces.

“Pas këtij vendimi të Gjykatës Supreme, kërkojmë nga KQZ që të fillojë sa më parë numërimi i votave me kusht dhe votave nga diaspora, menjëherë, në mënyrë që të përmbyllet ky proces dhe të vuloset fitorja e Vetëvendosjes, edhe në Prishtinë edhe në Prizren”, tha Sejdiu, duke shtuar se qysh të hënën, “Shpend Ahmeti duhet ta vazhdojë punën në Prishtinë, e Mytaher Haskuka ta fillojë punën në Prizren”.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Sejdiu, ka thënë po ashtu se me këtë vendim, këto dy komuna do të udhëhiqen nga Vetëvendosja.

Duke folur për votat me kusht, të cilat e ndryshuan rezultatin në Komunën e Istogut, Sejdiu tha se nuk do të ndodh kjo me këto dy komuna.

“Trendi i votave me kusht e ka përcjell trendin e votave të rregullta. Në tre palë zgjedhjet e fundit, votat me postë shkojnë rreth 80 për qind për VV-në. Jemi optimist që rezultati do të mbetet ky që është edhe pas numërimit të votave me kusht”, ka thënë Sejdiu në një konferencë për media, raporton Koha.net.

Në këto dy komuna, Prishtinë e Prizren, tha Sejdiu, do të ketë festë. “Në Prishtinë për vazhdimin e qeverisjes së Shpend Ahmetit, e në Prizren për çkapjen e komunës”.

Në fund u falënderuan vëzhguesit që “tash e sa ditë po i mbrojnë votat e qytetarëve në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve”, duke kërkuar nga ata që të vazhdojnë me të njëjtën vigjilencë deri në përfundim të këtij procesi.