Avokati Tomë Gashi përmes një statusi në Facebook ka kritikuar politikën e vendit për mos-paditjen e Serbisë për gjenocid.
Duke kritikuar edhe për votimin për themelim të Gjykatës Speciale, Gashi ka thënë se në vend që Serbia të gjykohet dhe kosovarët nga viktima të luftës u shndërruan në të akuzuar potencialë për krime të luftës.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Pse Kosova nuk po e padit Serbinë për gjenocid? Kosova faktikisht që nga 12 qershori 1999, ka pasur të drejtë që ta padisë Serbinë për gjenocid ndaj popullit shqiptarë të Kosovës, meqenëse vrasjet masive, duke përfshirë edhe qindra masakra të popullatës civile, plagosjet masive, shkatërrimet masive të vendbanimeve të shqiptarëve dhe të gjitha të këqijat e tjera, Serbia i ka bërë në mënyrë sistematike dhe të organizuar vetëm për shkak të urrejtjes nacionale ndaj shqiptarëve të Kosovës. Edhe pse, Kosova ka qenë e lirë nga okupatori serb që nga 12 qershori i vitit 1999, Kosova deri më datën e shpalljes së pavarësisë më 17 shkurt 2008 juridikisht ka qenë nën patronatin e OKB-së, respektivisht Misionit të UNMIK-ut në Kosovë. Ky fakt është përdorur nga politikanët e lartë të Kosovës, se kinse nuk mund të bëjnë asgjë në drejtim të padisë kundër Serbisë, sepse këto çështje kanë qenë pjese ekskluzive e UNMIK-ut”, ka shkruar ai, raporton Koha.net.
Gashi ka thënë se Kosovës askush nuk ia ka ndalur që të padisë Serbinë për Gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, njëjtë siç kanë bërë edhe Krocia, Bosnja dhe Hercegovina.
Gashi ka kritikuar edhe presidentin Hashim Thaçi për deklaratat se do ta padisë Serbinë për Gjenocid, ndërsa në të njëjtën kohë ka negociuar me palën serbe, sipas Gashit, për çështje të brendshme të Kosovës.
“Ka pas raste të herë pas hershme të ‘kërcënimeve’ apo paralajmërimeve të zyrtarëve të lartë shtetëror se do ta padisin Serbinë për gjenocid, dhe këtë me së shpeshti e ka përmendur Presidenti i tanishëm dhe ish Kryeministri Hashim Thaçi. ‘Kërcënimet’ e tij ndaj Serbisë kanë qenë për përdorim të brendshëm politik, për të krijuar flluska kërcënuese ndaj Serbisë me padi për gjenocid, e në të njëjtën kohë duke negociuar me Serbinë në Bruksel për çështje të brendshme të Kosovës dhe duke i paraqitur këto negociata kinse janë në të mirë të Kosovës. Ata që negociojnë me Serbinë për çështje të brendshme të Kosovës, kurrë nuk do ta padisin Serbinë për gjenocid, sepse janë të sigurt se kjo sigurisht nuk do t’i pëlqej Serbisë, por ky nuk është problemi kryesor i tyre. Problemi kryesor i tyre është se a do t’i pëlqej kjo apo jo Bashkësisë Ndërkombëtare, posaçërisht SHBA-së dhe shteteve të BE-së”, ka shtuar më tej Gashi.
Avokati Gashi ka thënë po ashtu se shumë zyrtarë të lartë shtetërorë tani po duan të bashkëpunojnë me secilin që iu jep pak shpresë se nuk do të akuzohen në Gjykatën Speciale. Këtë e ka quajtur ironike duke thënë se në vend se të jenë si paditës kundër Serbisë, një pjesë e tyre shumë lehtë do të gjejnë veten si të akuzuar për krime lufte.
“Sigurisht që tani zyrtarë të lartë shtetëror apo një pjesë e tyre prioritet jetësor e kanë të bashkëpunojnë me secilin që mund të ju jap pak shpresë, se kinse nuk do të akuzohen në Gjykatën Speciale, që për fat të keq të tyre, selia e kësaj Gjykate me votat e tyre në dëm të Kosovës si shtet, dhe dëm të shqiptarëve në përgjithësi dhe ish pjesëtarëve të UÇK -së në veçanti është caktuar të jete Hague në Holandë. Ironia me e madhe është se në vend që burrështetasit tanë të jenë në Hagë si paditës kundër Serbisë, një pjesë e tyre fare lehte mund ta gjejnë vetveten të akuzuar në Gjykatën Speciale në Hagë, dhe ata e dine se akuzat kryesore ju vine nga shteti i Serbisë, të cilën ata kurrë nuk e paditën për gjenocid ndaj shqiptarëve. Kështu ne, shqiptarët e Kosovës me votën e deputetëve të Kuvendit të Kosovës, për të themeluar Gjykatën Speciale në Hagë kundër vetvetes, nga viktima të luftës u shndërruam në të akuzuar potencial për krime të luftës…!!!”, ka shkruar në fund Gashi.