Instituti i Kosovës për Drejtësi ka nxjerrë një raport, ku ka analizuar hetimet parapenale të rastit, të ngritura në publik rreth dyshimeve për manipulimin e provimit të jurisprudencës nga Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi.
IKD-ja kujton se hetimet u zhvilluan nga një vartës i kryeprokurorit të Shtetit, që është shef i Departamentit për Krime të Rënda në Prokurorinë Themelore të Prishtinës, Kujtim Munishi, raporton KTV.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoBazuar në ligjet në fuqi, hetimet për këtë rast është dashur të udhëhiqen nga Prokuroria Speciale, pasi pozita e kryeprokurorit të shtetit hyn në kuadër të pozitave më të larta të shtetit, veprimet e të cilëve hetohen nga PSRK-ja.
Andaj, sipas IKD-së, çdo veprim i ndërmarrë nga Munishi është në kundërshtim me ligjin.
IKD-ja në raport ka përmendur edhe ndikimet politike. Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, gjatë deklarimit të tij, kishte paragjykuar hetimet e prokurorisë se ato do të përfundojnë për një kohë të shkurtër.
Tutje edhe deklarimet e bëra nga Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe Shoqata e Prokurorëve, që ende pa nisur hetimet, u rreshtuan në krah të Lumezit, duke kërkuar ndërprerjen e hulumtimit nga mediat dhe duke i cilësuar si fushatë kundër Prokurorit të Shtetit, IKD-ja i ka vlerësuar si të padrejta dhe paragjykuese, që doemos kanë mundur të reflektojnë në vendimin e prokurorit Munishi.
Sipas këtij raporti, mbyllja e rastit është bazuar në tërësi në dëshmitë e ish-zyrtarëve serbë të caktuar në pozita në kohën e masave të dhunshme në vitet e 90-ta, pas suprimimit të Autonomisë së Kosovës.
Pokurori Munishi nuk ka bërë administrimin e provave të ofruara nga dëshmitarët shqiptarë që ishin anëtarë të Komisionit Konsultativ Juridik, të cilëve Lumezi në vitin 2000, kur kishte konkurruar për gjykatës dhe prokuror, u kishte thënë se nuk e ka të kryer provimin e jurisprudencës, madje as që ua ka kishte prezantuar një certifikatë të tillë.
IKD-ja, duke u bazuar në vetë aktvendimin e prokurorit Munishi, thekson se në Kosovë, në cilësinë e dëshmitarit, janë marrë në pyetje: Sahit Shala, Radislav Dimitrijeviq, Aleksandër Lumezi, Riza Smaka, Adil Fetahu, Enver Hasani, Betim Shala dhe Zymer Krasniqi.
Ndërsa, pa pasur vendim për fillim të hetimeve dhe në kundërshtim me Ligjin për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar, ka marrë prova dhe dëshmitarë jashtë rrugës zyrtare ligjore.
Në këtë proces hetimor parapenal, Munishi nuk ka pasur asnjë person të dyshuar por vetëm dëshmitarë.
Instituti i Kosovës për Drejtësi në raport ka dhënë rekomandimet se si të veprohet në lidhje me rastin e dosjes së manipuluar të Aleksandër Lumezit.
Ata kanë kërkuar një proces hetimor të pavarur, të paanshëm, të drejtë dhe profesional, i cili do të zhvillohej nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, përmes krijimit të një ekipi të prokurorëve të EULEX-it me prokurorë amerikanë, britanikë dhe gjermanë.
Prokurorisë Speciale i rekomandohet të kërkojë ekspertizë të të gjitha dokumenteve të manipuluara me llak dhe të tjera që dyshohet se janë falsifikuar. Ndërsa Këshilli Prokurorial të marrë masa lidhur me suspendimin e Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi.
Po ashtu, sipas IKD-së, PSRK-ja duhet të analizojë aktvendimin për hedhjen e kallëzimit penal nga Prokurori Munishi dhe të hetojë nëse gjatë trajtimit të këtij rasti është zbatuar ligji dhe procedurat sipas legjislacionit në fuqi.
Analiza është mbështetur në hulumtimin e zhvilluar nga hulumtuesit e ekipit të emisionit “Betimi për Drejtësi” dhe Kohavisioni.