Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Po normalizim, por jo njohje të Kosovës, thonë në Beograd

Beograd, 17 nëntor -  Ministrja e Eurointegrimeve e Serbisë, Jadranka Joksimoviq i tha RTS-së se në kuadër të Marrëveshjes së Brukselit parashihet Marrëveshja për normalizimin gjithëpërfshirës të marrëdhënieve midis Beogradit e Prishtinës, por kjo nuk do të thotë detyrimin për Serbinë që të njohë pavarësinë e Kosovës, transmeton Koha.net.  

Thelbi ose përmbajtja e kësaj marrëveshjeje juridike detyruese, që duhet të rezultojë në përfundim të procesit, në fakt duhet të burojë nga dialogu midis Beogradit e Prishtinës, ka thënë ministrja Joksimoviq.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

 Ajo është shprehur se është e vështirë të flitet për përshpejtimin e këtij dialogu. Sipas saj është vështirë për përshpejtim meqë nuk ka kurrfarë aktiviteti nga ana e Prishtinës për zbatimin e Marrëveshjes për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe, që përbën pjesën vitale të marrëveshjes nga ana jonë dhe nga aspekti i interesave tona, transmeton Koha.net. 

Ministrja Joksimoviq ka shtuar se rruga është e gjatë para të gjithëve sa u përket detyrimeve nga Marrëveshja e Brukselit, ndërsa rrjedha e dialogut midis Beogradit e Prishtinës do ta  definojë përmbajtjen e Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve (midis Kosovës e Serbisë).

Duke komentuar deklaratën e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq se pa ndryshime drastike në raportet tona dhe ato të përgjithshme ndaj Kosovës (e Metohisë, siç u pëlqen zyrtarëve të Beogradit ta quajnë Republikën e Kosovës) nuk do të mund të bëhemi anëtar të BE-së, ministrja ka thënë se tashmë disa ndryshime drastike kemi ndërmarrë. Sipas saj, ndryshime drastike janë të gjitha marrëveshjet që i kemi nënshkruar deri tash përmes Marrëveshjes së Brukselit, që ka çuar në fillimin e dialogut të brendshëm.

Ministrja Joksimoviq ka thënë se disa nga shtetet anëtare të BE-së që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës pa dyshim presin që këtë gjë ta bëjë edhe Serbia, por ka anëtare të tjera që nuk e kanë njohur Kosovën, prandaj BE është e detyruar të jetë neutrale sa i përket statusit në dialogun midis Beogradit e Prishtinës, transmeton Koha.net.

E pyetur nëse kjo do të thotë se para Serbisë shtrohet dilema: Kosova ose BE-ja, Joksimoviq është përgjigjur negativisht, meqë në këtë mënyrë do të dukej sikur nuk ekzistojnë standardet.

Edhe po ta pranonim Kosovë, gjë që nuk do të ndodhë, nuk mendoj se menjëherë do të bëheshim anëtare e BE-së.

 Ajo po ashtu ka thënë se Serbia mund të bëhet anëtare e BE-së edhe pa e pranuar pavarësinë e Kosovës.

“Natyrisht mund të bëhemi anëtare. Thelbi i Marrëveshjes për normalizim ka të bëjë me definimin e disa kornizave të normalizimit që ne nuk na detyrojnë ta njohim pavarësinë e Kosovës, por gjithsesi janë koncesione të bëra përmes këtyre marrëveshjeve, me kusht që edhe Prishtina të përmbushë detyrimin e vet, që është themelimi i Asociacionit të Komunave Serbe”, ka thënë Joksimoviq, transmeton Koha.net.  

Ministrja serbe e Eurointegrimeve thotë të jetë dëshpëruar kur ka dëgjuar dje të flitet për pranimin në paketë të Ballkanit Perëndimor në BE.