Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Apeli ia lë Kishës Ortodokse tokën e UP-së, Rektorati “shfajësohet”

Gjykata e shkallës së dytë i ka dhënë të drejtë Kishës Ortodokse në pretendimin për tokën që e ka në pronësi në kampusin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Si pasojë të mungesës së përfaqësuesve të Universitetit të Prishtinës në gjyq për pronësinë e tokës në kampusin e UP-së, kjo tokë ka mbetur në pronësi të Kishës Ortodokse, raporton Kallxo.com.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Toka rreth 4 hektarë në të cilën gjendet Kisha Ortodokse Serbe në Kampusin e Universitetit të Prishtinës, do t’i takojë Kishës Ortodokse ‘Sveti Nikolla’.

Gjykata e Apelit në Prishtinë ka marrë vendim që ta hedhë poshtë si të pabazuar ankesën e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, lidhur me vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës për ta kondsideruar të tërhequr padinë e UP-së për pronësinë e tokës ku gjendet kisha e pa funksionalizuar.

Në vendimin e Gjykatës së Apelit të marrë më 27 shtator të këtij viti, të cilin e ka siguruar KALLXO.com thuhet se vendimi i Gjykatës Themelore në vitin 2015 kishte qenë i bazuar meqenëse pala paditëse, përkatësisht UP-ja nuk ishte paraqitur në seancën kryesore lidhur me këtë kontest.

Sipas gjykatës, arsyetimi i UP-së për mospjesmarrje në seancë në vitin 2015 kishte qenë fakti se ka pasur protesta të shumta para kishës së lartpërmendur.

“Pretendimet ankimore të palës paditëse se me datën 17.11.2015 dhe me datë 18.11.2015 para ndërtesës se rektoratit ka pasur protesta prej disa dhjetëra punëtorëve, kjo gjykatë i konsideroi si të pabazuara sepse kjo nuk ishte pengesë që ata të mos marrin pjesë në seancë. Prandaj, në situatën konkrete të gjitha pretendimet ankimore të debitorëve, Gjykata e Apelit i konsideron të pabazuara dhe të paqëndrueshme ngase nuk kanë bazë në prova konkrete”, thuhet në vendim.

Pas këtij vendimi, Universiteti i Prishtinës ka të drejtë që të nisë procedurat nga fillimi dhe të ushtrojë padi të re për të njëjtën çështje.

Vendimin e Gjykatës së Apelit po e sheh si mos vullnet sekretari i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Esat Klemendi, që foli për Ndërtimi.info.

Kelmendi ka thënë se lidhur me këtë vendim do të marrin veprime, por që të gjitha janë të kota pa vullnetin politik.

“Jo vetëm politika, por edhe ndërkombëtarët dhe në përgjithësi nuk ka interesim për të lëvizë njëherë. Ato ligje, ato vendime që janë marrë në periudhën e okopimit janë diskriminuese dhe janë në dëm të shqiptarëve. Nuk mundet me u legalizu asgjë e kohës së okupimit, një vendim, sado që i kanë bartë e i kanë ndreq letrat ata. Sidoqoftë do ta konsultojmë avokatin tonë për veprimet e mëtutjeshme”, tha Kelmendi për Ndërtimi.info.

Kelmendi ka treguar arsyen e mos pjesëmarrjes në seancën ku do të shqyrtohej ankesa e tyre për tokën e UP-së. Por që thotë se Gjykata nuk e mori parasysh dhe se hodhi poshtë kërkesën duke i jep të drejtë Kishës Ortodokse.

Madje këto veprime sipas Kelmendit të shpien në atë se as Gjykata e as instancat e shtetit nuk e kanë vullnetin për zgjidhjen e kësaj çështje.

“Seanca ka nxjerr vendim pa prezencën tonë. Nuk ka pas mirëkuptim me shty seancën, që ndodh zakonisht kur nuk shkon pala, por kanë nxjerr një vendim që hidhet poshtë për shkak mos pjesëmarrjes së përfaqësuesve të Universitetit dhe i jep të drejtë Kishës. Ftesa ka ardh për të marrë pjesë në seancë, mirëpo këtu ka pas protestë dhe shërbimi ka harru me përcjell ndërkohë sepse është dorëzuar letra dhe duke e menaxhuar protestën është harruar me u përcjell. Dhe në këtë rast Gjykata, që nuk ndodh zakonisht kur nuk merr pjesë pala tjetër zakonisht shtyhet dhe njofton që është shtyrë seanca për shkak mos marrjes pjesë të njërës palë, dhe shtyn seancën për një datë tjetër. Në këtë rast nuk ka ndodh e që po bie me kuptu se veprime që nuk ka vullnet me u zgjidh kjo çështje as prej instancave të shtetit. Dhe madje kemi kërkuar nga Gjykata Themelore dhe e Apelit ashtu siç e parasheh Ligji me marr në konsideratë ankesën tonë për mos prezencë, me arsyetimin se për shkak të rrethanave nuk kemi mundur të marrim pjesë”, ka theksuar ai.

Tutje Kelmendi tha se në konsultim me avokatin e çështjes do të nisin procedurë të re.

“Ne do të rinisim procedurë të re prej fillimit kontest gjyqësor për këtë pronë. Afatet nuk mund t’i them sepse lëndën do ia procedojmë avokatit tonë, se a do të fillojmë me padi të re”, ka përfunduar Kelmendi.

Kisha e pafunksionalizuar e cila u ndërtua në kohën e regjimit të Slobodan Millosheviq në vitet 1990, u bë shkas i disa protestave dhe pakënaqësive, kryesisht nga studentët e Universitetit të Prishtinës.