Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Pacolli ka një përgjigje për deklarimet e ambasadorit rus në Beograd

Shefi i diplomacisë në Kosovë, Behgjet Pacolli thotë të ketë “lexuar me vëmendje të shtuar deklaratën e Ambasadorit rus në Beograd, Alexander Chepurin, i cili sipas raportimeve të mediave, ndër të tjera, kishte deklaruar se ‘...sa i përket Kosovës, sipas të gjitha ligjeve dhe rregullave ndërkombëtare, Kosova mbetet pjesë e Serbisë…’”.

Përmes një reagimi për media, Pacolli ka thënë se është vërtetë për keqardhje, që një titullar kaq i lartë diplomatik bën deklarata të tilla, që nuk i kontribuojnë aspak paqes, stabilitetit dhe ndërtimit të besimit dhe pajtimit në Ballkanin Perëndimor.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Rusia, në vazhdimësi ka qenë pjesë e procesit të negociatave për zgjidhjen e statusit përfundimtar të Kosovës. Mbase ka kaluar një kohë pak sa e gjatë - rreth 6 vjet dhe Ambasadorit rus nuk i është kujtuar, por, po e shfrytëzoj këtë rast për t’i rikujtuar se Organi Kryesor i Kombeve të Bashkuara, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë, kishte vërtetuar me vendimin e saj se ‘shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk e shkel as të Drejtën e Përgjithshme Ndërkombëtare, Rezolutën e Këshillit të Sigurimit të vitit 1999 apo Kornizën Kushtetuese…’”, ka thënë Pacolli.

“Në këtë proces edhe shteti, që ai përfaqëson deponoi kontributet e tij me shkrim dhe me gojë. Unë, thjeshtë nuk e di se për çfarë Ligjesh dhe Rregullash tjera ndërkombëtare flet përfaqësuesi diplomatik rus. Në mbështetje të asaj që u tha më lartë, nuk mund të jap vlerësim tjetër pos atij të vazhdimësisë së pretendimeve ruse për krijimin e lajmeve të rreme dhe krijim hutie tek opinioni lokal dhe ndërkombëtarë”, ka shkruar Pacolli, përcjell Koha.net.