Pavarësisht kërcënimeve nga Serbia, pala kosovare nuk pranon të tërhiqet nga vendimi për miellin që vjen nga Serbia, të cilit i është vendosur taksë doganore.
Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, ka paralajmëruar mundësinë e largimit nga CEFTA për shkak të mos qenit të barabartë me vendet tjera anëtare, raporton KTV.
Ndërsa ka shtuar se do të marrë pjesë në takimin e sekretariatit të CEFTA-s që do të mbahet në Beograd, ku nga Serbia, Kosova do ta marrë kryesimin e CEFTA-s.
Hasani ka paralajmëruar se së shpejti do të dalin edhe me vendime të tjera për çmimet anti-dumping, të cilat janë në fazën e fundit të hetimeve.
Arian Zeka nga Oda Ekonomike Amerikane ka kërkuar më shumë kontroll dhe rritje të numrit të të punësuarve në departamentin që ka përgjegjësi të masave anti-dumping.
Kosova është importuese e madhe e miellit nga Serbia. Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, nga janari e deri në fund të tetorit, janë importuar mbi 23 milionë kilogramë në vlerë prej rreth 5 milionë eurosh.