Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Opozita shqiptare kërkon që Shqipëria dhe Kosova të bashkëfinancojnë tekstet shkollore për fëmijët shqiptarë në diasporë

Grupi më i madh opozitar në Parlamentin e Shqipërisë, pikërisht ai i Partisë Demokratike, i ka propozuar Parlamentit një projektligj ku kërkon që “shpenzimet për tekstet shkollore dhe ato ndihmëse të nxënësve në arsimin publik, nga klasa e parë deri në klasën e nëntë, të mbulohen plotësisht nga buxheti i shtetit”, njofton korrespondenti i Kohës Ditore Tiran.

Por ky propozim ka një pikë që i kalon kufijtë e Shqipërisë, kur kërkohet që Shqipëria dhe Kosova të bashkërendojnë punën për të bashkëfinancuar koston e teksteve shkollore për fëmijët shqiptarë deri në 16 vjeç që mësojnë gjuhën shqipe në diasporë. Sipas llogaritjeve të opozitës, zbatimi i kësaj nisme ka një kosto të përballueshme në buxhet, rreth 1.5 milionë euro.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Në vende të ndryshme të Evropës si Angli, Austri, Finlandë, Greqi, Gjermani, Slloveni, Suedi dhe Zvicër etj. janë të hapura shkolla ku mësohet shqip, nga ku japin mësim edhe mësues nga Kosova e Shqipëria. Ministrja e Arsimit dhe Rinisë, Lindita Nikolla, ka bërë të ditur se pavarësisht kërkesës së bërë nga opozita, Ministria e Arsimit e Shqipërisë ka qenë dhe është e angazhuar për shpërndarjen falas të teksteve shkollore në gjuhën shqipe për diasporën shqiptare.

“Çdo vit shkollor Ministria e Arsimit dhe Rinisë e Shqipërisë siguron mbi 6 mijë e 500 libra (mbi 4 mijë e 500 tekste shkollore dhe 2 mijë fletore pune), të cilët nëpërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe përfaqësive tona diplomatike u dërgohen fëmijëve emigrantë në diasporë për përdorim falas. Edhe këtë vit, MAR-i siguroi mbi 3200 abetare dhe tekste të gjuhës shqipe për t’u shpërndarë në diasporë”, tha ministrja Nikolla.

Gjithashtu ministrja Nikolla vuri theksin edhe te përvoja dhe puna që po bëjnë dy vendet dhe qeveritë e Shqipërisë e Kosoves, që me siguri do të çojë drejt teksteve shkollore të përbashkëta, jo vetëm për diasporën dhe mërgatën. “Qeveria shqiptare ka vullnetin për të plotësuar detyrimin ndaj fëmijëve të emigrantëve, që ata të mësojnë gjuhën shqipe dhe kulturën shqiptare. Gjuha amtare përbën shenjën e parë të identitetit kombëtar. Si e tillë, ajo duhet mësuar e zhvilluar që të ruhet e të zhvillohet identiteti ynë kombëtar”, u shpreh ministrja e Arsimit, Nikolla.

Ndërkohë, sipas ministres, “për organizimin e përbashkët të mësimit të gjuhës shqipe dhe të kulturës shqiptare në diasporë dhe mërgatë”, prej më shumë se një viti, kanë punuar katër grupe specialistësh nga Shqipëria e Kosova dhe kanë përgatitur dokumentet që rrjedhin prej saj. “Detyra e Shqipërisë dhe e Kosovës është edhe vijimi i organizimit të seminareve të përvitshme me mësues nga Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi, për të zhvilluar nxënien e shqipes te fëmijët e emigrantëve shqiptarë dhe kualifikimin e zhvillimin profesional të vetë mësuesve”, theksoi ministrja e Arsimit e Shqipërisë, Lindita Nikolla.