Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Pacolli kërkon nga Haradinaj zëvendësimin e Hasanit në Komisionin e Venecias

Pas Aktgjykimit të shpallur publik nga Gjykata Themelore e Prishtinës më datën 18 Tetor, 2017 kundër ish-rektorit të Universitetit të Prishtinës, ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, i cili u dënua me një vit burgim me kusht për veprën penale Mashtrimi në detyrë, zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli, sipas detyrës dhe përgjegjësive të tij ligjore ka kërkuar nga kryeministri i Kosovës, Ramush Haradianaj, shqyrtimin e nisjes së procedurave ligjore për zëvendësimin e Enver Hasanit, nga Komisioni i Venecias, ku ai përfaqëson  Kosovën si ekspert profesionist dhe i pavarur, i emëruar nga viti 2014.

“Pas konsultimit edhe me një grup profesorësh të së drejtës vendore dhe ndërkombëtare, ministri Pacolli konsideron se mbajtja akoma në këtë rol përfaqësues me profil të lartë të një individi me këtë rekord njollosës dënimi cenon rëndë imazhin e Kosovës, pasi që supozohet se institucioni prestigjioz ndërkombëtar, ku ai na përfaqëson, është informuar për dënimin e, Enver Hasanit, nga drejtësia vendore. Në këto kushte, ai vetë do duhet të japë dorëheqjen”, thuhet në kumtesë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Përkitazi me këtë çështje, Zëvendës-Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme Pacolli dëshiron që të informojë opinionin e gjerë publik se do të ushtrojë të gjitha detyrimet dhe përgjegjësitë e tij ligjore, në konsultim të ngushtë me Kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj dhe në mbështetje të plotë të procedurave respektive të Komisionit të Venedikut.

Në një situatë si kjo, Pacolli mendon se riparimi më i mirë për imazhin e Kosovës do të ishte zëvendësimi i Hasanit me një personalitet akademik të profilit më të lartë të mundshëm, në konsultim me qarqet universitare dhe profesionale të së drejtës.