Arbëri

GSJP kërkon transparencë financiare nga subjektet politike

Descriptive Text

Grupit për Studime Juridike dhe Politike gjatë një konference për media ka kërkuar nga partitë politike që të jenë sa më transparente, si dhe të respektojnë Ligjin për Financimin e Subjekteve Politike.

GLPS thotë se përkundër faktit që sot Komisioni Parlamentar për Mbikëqyrjen e Financave Publike caktoi me short auditorët të cilët janë përgjegjës për Auditimin e Raporteve Vjetore Financiare dhe Raporteve të Deklarimit Financiar të Fushatës së subjekteve politike, për vitet 2013, 2014, 2015 dhe 2016, ende vlen të theksohet që këto raporte të partive politike nuk janë audituar që nga viti 2013.

“Për më tepër, vlen të theksohet që partitë politike janë në përfundim të fushatave të tyre zgjedhore për zgjedhjet lokale që do të mbahen në 22 Tetor 2017, ende pa u kryer auditimi i raporteve financiare të tyre për të katërtin vit radhazi. Kjo situatë dëmton zgjedhjet e drejta dhe të lira në Kosovë, si dhe transparencën dhe llogaridhënien e partive politike. Prandaj, Grupi për Studime Juridike dhe Politike bën thirrje që partitë politike të jenë sa më të hapura në lidhje me financimin e aktiviteteve politike të tyre që nga fillimi e deri në përfundim të fushatës elektorale. Duke u bazuar në faktin që qytetarët e Republikës së Kosovës duhet të jenë të informuar për mënyrën se si financohen partitë politike, Grupi për Studime Juridike dhe Politike kërko që: Partitë politike të bëjnë transparente Raportet e Deklarimit Financiar të Fushatës zgjedhore, duke i publikuar në kohë që të gjitha të hyrat dhe shpenzimet e partive politike sidomos gjatë fushatave zgjedhore në mënyre që këto të jenë të qasshme për të gjithë qytetarët e Kosovës. Gjithashtu, partitë politike duhet të publikojnë të gjitha shpenzimet e tyre që nga fillimi i fushatës zgjedhore e deri në perfundim të saj në mënyrë që të promovohet platforma zgjedhore, si dhe të rritet transparenca e partive politike. Partitë politike gjithashtu duhet të publikojnë listën e të gjithë donatorëve dhe shumat e dhuruara për aktivitetet e partive politike në mënyrë që të parandalohen aferat e mundshme korruptive në mes të partive politike dhe donatorëve të tyre, sidomos gjatë procesit të tenderimit publik. Kjo gjithashtu do t’i mundësonte publikut të njoh lidhjet në mes të financuesve të partive politike dhe procesit të vendim-marrjes, si dhe shpenzimit të buxhetit të Kosovës. Siç dihet, disa nga partitë politike në fillim të këtij viti kanë publikuar raportet e tyre financiare vetëm pas presionit të ushtruar nga zyra e BE-së në Kosovë. Prandaj, Grupi për Studime Juridike dhe Politike iu bën thirrje partive politike që të respektojnë Ligjin për Financimin e Subjekteve Politike dhe të bëjnë publike raportet e tyre financiare pa pasur nevojë për ndonjë presion të jashtëm”, thuhet në komunikatën e GLPS.

Sipas tyre, mënyra e financimit të partive politike në këtë proces është qenësore për integritetin e procesit zgjedhor, prandaj transparenca financiare përbën një element demokratik për të cilin secili qytetar i Kosovës duhet të njoftohet.