Kosovën e Finlandën i lidhin edhe rreth 20 mijë kosovarë që jetojnë atje

Kosovën e Finlandën i lidhin edhe rreth 20 mijë kosovarë që jetojnë atje

12 tetor 2017 23:41

Ministri i Punëve të Jashtme i Finlandës, Timo Soini, ka garantuar në Prishtinë se Kosova e ka mbështetjen e plotë dhe në forma të ndryshme të vendit të tij në rrugën e integrimit evropian.

Në një intervistë ekskluzive për “Interaktiv” të KTV-së ka thënë se Kosova duhet të plotësojë kriteret e vëna nga BE-ja, duke mos harruar të përmendë edhe demarkacionin me Malin e Zi.

Finlanda, ka thënë Soini, mbështet edhe liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Rrugë njëkahëshe të cilës do t’i shihen rezultatet e ka quajtur ai dialogun për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës e Serbisë.

“Qëllimi ynë normalisht është që të gjitha vendet e BE-së ta njohin Kosovën”, ka thënë ndër të tjera Soini, përcjell Koha.net. Ka përmendur edhe Marti Ahtisarin. Por lidhja e Kosovës dhe Finlandës, siç ka thënë ai është edhe përmes rreth 20 mijë kosovarëve që jetojnë në Finlandë.

“Ata kanë lidhje të mira me vendin këtu dhe na ndihmon neve kur kemi njerëz që i njohin të dy vendet dhe ka mundësi bashkëpunimi”, ka thënë ai.

Soini flet edhe për mundësitë që Kosova ta marrë shembull vendin e tij në sistemin e edukimit. Bisedën e plotë të cilën mund ta lexoni më poshtë, ai e përmbyll me përshtypjet të cilat mori nga vizita e tij në Kosovë.

Atëherë, do të fillojmë me procesin e integrimit evropian për Kosovën dhe dëshirojmë të dimë se si e sheh Finlanda procesin e integrimit në BE për Kosovën?

Finlanda mbështet rrugën tuaj drejt Bashkimit Evropian dhe jemi këtu si miq dhe jemi mbështetës të gjatë për Kosovën në forma të ndryshme. Por ne gjithashtu tregojmë se kur diçka ka nevojë që të përmirësohet dhe mendojmë që vendi juaj është në BE por përpara kësaj ju duhet t’i plotësoni kriteret, antikorrupsionin, sundimin e ligjit dhe çështjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi.

Pra, ju mendoni që këto janë të gjitha kritere për Kosovën drejt integrimit evropian?

Unë mendoj që këto janë mënyrat se si mund të arrihet qëllimi sepse nga përvoja jonë, ne e dimë që për shtete të ndryshme duhen gjëra të ndryshme që të plotësohen dhe kjo është shumë e rëndësishme. Për këtë unë them fuqishëm se si mik i juaji cila është mënyra që të arrihet kjo sepse qëllimi ynë është që të jemi aty bashkë.

Gjithashtu, cili është pozicioni i Finlandës për procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën?

Ne e mbështesim liberalizimin e vizave për Kosovën dhe e dimë që këto pengesa që janë në këtë rrugë duhet të largohen dhe duhet të ketë marrëveshje për to dhe për këtë çështja e demarkacionit është shumë e rëndësishme. Ne po i themi këto gjëra sepse e dimë që kur kushtet janë përmbushur, atëherë procesi i liberalizimit të vizave do të ndodhë.

Ju besoj jeni në dijeni se Kosova dhe Serbia janë në një proces të gjatë të dialogut në Bruksel. Si e shihni këtë, si e sheh Finlanda këtë proces dhe çfarë prisni nga ky dialog në fund?

Ky është proces shumë i rëndësishëm, unë madje do të thosha që është vendimtar, që ju të vazhdoni këtë dialog me Serbinë dhe do të keni rezultate nga ai. Duhet kohë dhe pastaj do të shihen rezultatet dhe kjo nuk është rrugë njëkahëshe sepse e dini që duhen dy persona për tango. Ju duhet të punoni së bashku dhe ne e dimë që ka sfida dhe ka histori që është e dhimbshme në shumë mënyra por kjo është forma që duhet ecur përpara në mënyrë që të ketë rezultate, stabilitet, prosperitet dhe vende pune. Për këtë ne ju inkurajojmë që të vazhdoni dhe të dy palët duhet patjetër që të jenë aktive dhe në këtë mënyrë të përfshirë. Ne e dimë që në fund ju do t’ia dilni. Kemi besim në këtë. Nëse ka vullnet, ka edhe mundësi.

Dhe çfarë prisni nga procesi në fund?

Unë pres që në fund të jenë të adresuar të gjitha çështjet që janë vendosur në tavolinë dhe kjo nuk është rrugë njëkahëshe, duhet të bëhet shumë nga të dyja palët. Ne e dimë që vetëm një zgjidhje e qëndrueshme është e pranueshme dhe palët të besojnë që ky proces është i drejtë, transparent dhe i trajton palët si të barabarta. Por, që të dy palët duhet të dinë se nuk mund të diktosh rezultatet, duhet të negociohet për to dhe të pajtohen palët.

Dhe, a pajtoheni ju z. Soini që Kosova është e hendikepuar nga mosnjohja e 5 vendeve të BE-së, në këtë proces të integrimit evropian por edhe në dialog?

Qëllimi ynë normalisht është që të gjitha vendet e BE-së ta njohin Kosovën por ato janë vende të pavarura dhe ato duhet të trajtohen me respekt. Por megjithatë ato vende duhet të kuptojnë kur Kosova po i përmbush kriteret. Kështu, mendoj që natyrshëm këto të ashtuquajtura veto do të largohen. Por ka shumë arsye për këtë dhe ne nga ana jonë finlandeze jemi më shumë doktor se gjykues dhe ne po provojmë të krijojmë kushtet, mirëkuptimin në mënyrë që të largohen pengesat, jo vetëm të thuhet ju duhet ta bëni këtë dhe mos e bëni atë, mendoj se ka mënyra shumë më të qarta që të vazhdohet përpara.

Besoj se keni pasur shumë takime gjatë vizitës tuaj këtu, cilat janë marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Finlandës?

Marrëdhëniet e Kosovës dhe Finlandës janë shumë të mira. Ne jemi të përfshirë në këtë proces që nga koha e Marti Ahtisaarit dhe ka pasur shumë bashkëpunim. Ne kemi ofruar më shumë se 50 milionë euro ndihma në projekte të ndryshme. Një nga më të dukshmet është edukimi dhe trajnimi i mësimdhënësve. 2000 mësimdhënës janë trajnuar me programet tona dhe tani është edhe një projekt tjetër më qendrat korrektuese që ka nisur në fakt sot, unë isha në takimin hapës të këtij projekti. Gjithashtu ka rreth 20 mijë kosovarë që jetojnë në Finlandë dhe ata kanë lidhje të mira me vendin këtu dhe na ndihmon neve kur kemi njerëz që i njohin të dy vendet dhe ka mundësi bashkëpunimi. Unë njoh gjithashtu një person shumë të sjellshëm me emrin Bujar që punon në dyqanet lokale dhe i tregova që po vij në Kosovë dhe ai ishte shumë i lumtur për këtë. Dhe ne dimë që kjo çështja e vizave është e rëndësishme sepse kjo mundëson që të rinjtë të lëvizin dhe unë e vlerësoj se si ju punoni jashtë Kosovës dhe pastaj sillni paratë këtu kur njerëzit tuaj kanë nevojë.

Në çfarë sektori mendoni se ka pasur progres dhe ku mendoni se duhet të ketë ende përmirësim?

Mendoj se sektori i arsimit është shumë i rëndësishëm dhe unë rrallë e lëvdoj Finlandën në këtë aspekt duke thënë na shihni neve, por tani po e bëjë sepse sistemi ynë i edukimit është shumë i mirë, unë them është në top të botës. Mesazhi ynë është i qartë, edukoni gjeneratat e reja, veçanërisht vajzat. Unë e kam thënë me shumë zë se një vend që nuk i edukon vajzat e veta, është vend budalla sepse ju humbisni gjysmën e potencialit të shtetit tuaj nëse nuk e bëni këtë. Dhe kjo është çka na ka ndihmuar neve nga fundi i botës që të mbërrijmë në krye të saj në edukim. Ne i edukojmë të rinjtë tanë dhe kemi të drejta të barabarta si për djemtë ashtu edhe vajzat në sistemin e arsimit.

Si lider botëror në edukim, ashtu siç po thoni edhe ju, si mund ta ndihmojë Finlanda Kosovën që të adresojë problemet në këtë fushë? Siç mund ta dini ka shumë probleme të mëdha në edukim.

Ne kemi bërë shumë, ka pasur projekte, lidhje dhe ne jemi të lumtur që të kemi delegacione tuaj që mësojnë për arsimin në Finlandë e gjithashtu deputetë që të shohin se çka mund të arrihet me bashkëpunim dhe modele të mira. Ju keni një resurs shumë të madh sepse keni shumë të rinj dhe aty është e ardhmja e vendit tuaj, nëse i edukoni ata, do të jeni në rregull.

Deri në çfarë mase mund të përdoret modeli i Finlandës në Kosovë dhe sa mund të marrë kohë një reformë e tillë?

Nuk ndodh brenda natës. Por mendoj që as nuk është proces i pafund. Mendoj që brenda disa viteve ju do të jeni në pozitë shumë më të mirë edhe për shkak të këtyre trajnimeve të mësimdhënësve tuaj. Ju duhet një mësues i mirë në klasë. Do ta them qartë këtë, janë dy persona të rëndësishëm në klasë, mësuesi dhe nxënësi, dhe pastaj kemi kompjuterë e gjëra të tjera. Por, një mësues i mirë, i cili mund të motivojë, që mund të besohet në të, ai është motivimi më i mirë për nxënësit.

Dhe për vizitën tuaj. Çfarë përshtypje do të merrni me vete nga Kosova?

Unë jam mirëpritur në mënyrë shumë të ngrohtë. Kam takuar tashmë presidentin tuaj, ministren për Integrim, kryeministrin dhe kontingjentin ndërkombëtar këtu. Më pëlqen këtu, kisha pasur dëshirë të kem më shumë kohë. Moti është shumë më i mirë se në Finlandë.

Po, çfarë mendoni që janë nevojat e Kosovës dhe çka do të këshillonit kosovarët që të kenë prioritet të tyre?

Mendoj se prioriteti është që duhet ta bëni vendin që të funksionoj në mënyrën e duhur, që të largoni korrupsionin, të ketë përmirësim në sundim të ligjit dhe pastaj natyrisht sistemi i edukimit dhe investime. Por ju keni të rinj, keni fuqi punëtore shumë të re dhe keni qasje në shumë vende nga këtu, kështu kombinimi i gjithë këtyre mendoj që është mënyra përpara dhe të jeni aktiv dhe proaktiv, kjo është shumë e rëndësishme dhe kur shkoni në takime jashtë vendit, shkoni dhe diskutoni. Gjithashtu është e rëndësishme të keni diçka në xhepat tuaj, të keni edhe histori që do të tregoni se kjo është mënyra se si kemi ecur përpara, në këtë formë keni kredibilitet dhe merreni seriozisht.

Përmendet luftën kundër korrupsionit, që është problem i madh këtu. Si mendoni si mund të arrihet kjo dhe gjithashtu sundim më të mirë të ligjit këtu?

Mendoj se njerëzit e zakonshëm do të kuptojnë që korrupsioni është dikush që ha në tavolinën e tyre dhe ua han ushqimin e tyre. Dhe gjithashtu për ndërmarrësit e ndershëm. Nëse jeni burrë i ndershëm dhe dikush luan me kartën e jondershmërisë, atëherë ju pësoni. Dhe pastaj, normalisht gjyqtarët, policët e të tjerë sepse ju rrezikoni jetën tuaj duke mbrojtur të tjerët e kjo do të thotë që shteti duhet të jetë në anën tuaj dhe duhet të mbroheni kur të kryeni punën që iu është ngarkuar.

Faleminderit shumë për këtë intervistë, z. Soini!

Faleminderit shumë juve!

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme